(Foto+video) Sulme të reja ruse në Ukrainë: katër persona të vrarë, 78 të plagosur

Të paktën katër persona kanë vdekur, ndërsa 78 janë plagosur në sulmet ruse në disa pjesë të Ukrainës gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të autoriteteve lokale. Këtë mëngjes u sulmua edhe Kievi, ku një dron rus goditi një ndërtesë banimi në lagjen Obolon, njoftoi "Kiev Independent".
Në sulmin ndaj ndërtesës banimi u plagosën dy persona, ndërsa shpërtheu edhe një zjarr, njoftoi Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit.
Një i vrarë dhe të paktën 25 të plagosur në Chernihiv
Forcat ruse sulmuan edhe qytetin Chernihiv, ku një burrë humbi jetën, ndërsa të paktën 25 persona u plagosën, sipas autoriteteve lokale.
Alarmi ajror në qytet u aktivizua rreth orës 13:40 me kohë lokale për shkak të rrezikut nga një sulm me raketa. Disa minuta më vonë, forcat ajrore ukrainase paralajmëruan se drejt qytetit po afrohen dronë dhe një raketë kroçiere e tipit "Banderol".
Këshilli i qytetit të Chernihiv njoftoi se objektivi i sulmit ishin dy kompani private, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Të vrarë dhe të plagosur në rajonin e Donetskut
Në granatimet ruse ndaj një lagjeje banimi në Kramatorsk, një qytet në vijën e frontit, ka humbur jetën një person, ndërsa gjashtë të tjerë janë plagosur, përfshirë tre fëmijë, njoftoi prokuroria e rajonit të Donetskut.
Në Slaviansk, gjithashtu pranë frontit, në sulmet ruse të djeshme ka vdekur një grua 62-vjeçare, ndërsa katër persona u plagosën, njoftoi kryetari i qytetit Vadim Ljah.
Në sulmin ndaj qytetit Dnipro, në rajonin Dnipropetrovsk, një person ka vdekur dhe tetë janë plagosur. Guvernatori rajonal Oleksandr Khanža njoftoi se edhe tre persona të tjerë u plagosën në komunën Pidhorodnenska.
Në sulmin me dronë rusë ndaj qytetit Zhytomyr më 23 tetor u plagosën nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, njoftoi policia ukrainase.
Sulme edhe në rajonet Kharkiv, Kherson dhe Odessa
Në sulmet ruse ndaj rajonit Kharkiv u plagosën shtatë persona, përfshirë një vajzë 12-vjeçare dhe një djalë 13-vjeçar, deklaroi guvernatori rajonal Oleh Sinehubov. U dëmtuan ose shkatërruan objekte banimi, kompani dhe stacione karburanti.
Në rajonin Kherson forcat ruse kanë goditur zona banimi, ku u plagosën gjashtë persona, njoftoi administrata ushtarake rajonale.
Të tjerë tre persona u plagosën në sulmet ndaj rajonit Odessa. Guvernatori Oleh Kiper deklaroi se forcat ruse goditën një objekt rekreativ, një ndërtesë administrative dhe një depo.
Rusia sulmoi 25 vendbanime në rajonin Sumy
Forcat ruse kryen 40 sulme ndaj 25 vendbanimeve në rajonin Sumy. Në disa komuna u plagosën pesë persona, ndërsa alarmi ajror në rajon zgjati më shumë se 18 orë në total, njoftoi administrata ushtarake rajonale.
Sipas forcave ajrore ukrainase, forcat ruse gjatë natës kanë nisur 126 dronë, prej të cilëve 61 me motor me gaz. Mbrojtja ajrore ukrainase ka neutralizuar 101 dronë, përfshirë 50 me motor me gaz.
Rusia këtë vit ka rritur prodhimin e dronëve me motor me gaz, të cilët janë më të vështirë për t'u rrëzuar se modelet më të vjetra me motor me propeler. Ukraina, nga ana tjetër, gjatë muajit të fundit ka përmirësuar shkallën e interceptimit të këtyre mjeteve fluturuese.



