Avokati i Popullit do të pranojë ankesa për shkelje të të drejtës së votës në Brvenicë

Avokatura e Popullit sot gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Brvenicës, do të ketë një ekip në gatishmëri që do të pranojë paraqitje nga qytetarët për shkelje të mundshme të të drejtës së votës.
Siç njoftoi ombudsmani, zyra rajonale në Tetovë do të jetë e hapur nga ora 7 deri në 19, pra gjatë kohës së votimit, me qëllim që qytetarët të mund të raportojnë çdo shkelje të të drejtës së votës. Ankesat mund të dorëzohen personalisht në zyrë ose në numrin telefonik 044/344-082.
Avokati i Popullit informon se do të mbrojë të drejtat e qytetarëve duke ndërmarrë masa urgjente për veprim efektiv nga organet kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të garantuara.
Në njoftim theksohet se e drejta e votës është e garantuar kushtetueshëm si një e drejtë e barabartë, e përgjithshme dhe e drejtpërdrejtë që realizohet në zgjedhje të lira me votim të fshehtë.
Po ashtu theksohet se askush nuk duhet të thirret në përgjegjësi për ushtrimin e së drejtës së votës, duke kujtuar se shkelja e lirisë së përcaktimit të zgjedhësve dhe shkeljet e tjera të të drejtës së votës përbëjnë vepra penale.



