Të akuzuarit për vrasjen e Danka Iliq mohuan fajësinë, avokatët thonë se nuk ka prova materiale

Seanca përgatitore në procesin gjyqësor për vrasjen e dyvjeçares Danka Iliq u mbajt sot para Gjykatës së Lartë, me çka në Serbi zyrtarisht filloi procedura gjyqësore që publiku serb e ka pritur më shumë se dy vjet.
Edhe pse ish-punonjësit e ndërmarrjes publike komunale "Vodovod" nga Bor, Dejan Dragijeviq dhe Srđan Jankoviq, u ulën në bankën e të akuzuarve, misteri më i madh në rast – ku ndodhet trupi i vajzës – ende mbetet i pazgjidhur, shkruan "Telegraf.rs".
Të dy të akuzuarit para gjykatës deklaruan se nuk janë fajtorë për vrasjen e rëndë që u vihet në barrë, ndërsa mbrojtësit e tyre theksuan se prokuroria nuk disponon me prova materiale që i lidhin drejtpërdrejt të akuzuarit me vajzën e zhdukur.
"Sot u mbajt seanca përgatitore. Prokurori mbeti te aktakuza, ndërsa ne, së bashku me klientët tanë, mbetëm në qëndrimin se ata nuk kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë. Prokuroria propozoi provat e saj, ndërsa ne të tona. Do të dëgjohen dëshmitarë, ekspertë, dhe të akuzuarit do të paraqesin mbrojtjen e tyre. Ata deklaruan se nuk janë fajtorë, ndërsa mbrojtja do të paraqitet gjatë procedurës", deklaroi avokati i Srđan Jankoviqit, Zhivadin Bogdanoviq.
Ai shtoi se prokuroria ka propozuar dëgjimin e dëshmitarëve, ekspertizën dhe leximin e dosjeve të çështjes.
Mbrojtësja e Dejan Dragijeviqit, avokatja Vanja Zhivkoviq, theksoi se mungojnë gjurmët biologjike në vendet kyçe.
"Nga 60 ekspertiza, asnjë nuk tregoi se diku ekziston ADN e të akuzuarve ose e Dankës dhe në këtë drejtim nuk është konstatuar asgjë", deklaroi Zhivkoviq.
Bogdanoviq shtoi se asnjë provë materiale nuk i lidh të akuzuarit me Dankën e vogël, si dhe se nuk ka prova që vajza të ketë qenë fare në mjetin e JKP "Vodovod", edhe pse janë kryer ekspertiza për rreth 500 mostra.
"Seancat kryesore janë caktuar për gjysmën e dytë të nëntorit dhe për dhjetorin, në blloqe prej tri ditësh. Fillimisht do të dëgjohen të akuzuarit, pastaj të dëmtuarit dhe prindërit e tyre, dhe më pas dëshmitarët", deklaroi avokati Bogdanoviq.



