SHBA i ka paralajmëruar Moskën për një sulm terrorist të mundshëm

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) njoftoi se ka marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës informacione për përgatitje të një sulmi terrorist të mundshëm në Moskë, pas së cilës ka ndërmarrë masa të përshtatshme, raportoi TASS, duke transmetuar informacionin nga BTA.
"Nga ana amerikane, përmes kanaleve partnere, janë marrë informacione për përgatitje të një akti terrorist në Moskë. Aktualisht po ndërmerren masa të përshtatshme", thuhet në njoftimin e FSB-së.
Më parë, Ambasada e SHBA-së në Moskë njoftoi se disponon me informacione për "kërcënim të besueshëm për një incident me shumë viktima" në kompleksin muzeal Tsaritsyno në Moskë. Nga ambasada informuan se qeveria amerikane po koordinon përgjigjen e saj me autoritetet ruse.
"Qeveria e SHBA-së po koordinon përgjigjen e saj me autoritetet kompetente ruse", thuhet në njoftimin e ambasadës, nga ku u bë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën rreth pallatit të periudhës perandorake, i cili ndodhet në një park të madh në pjesën jugore të Moskës.
Kompleksi muzeal Tsaritsyno është mbyllur për shkak të kryerjes së aktiviteteve operative, deklaroi një burim nga shërbimet e inteligjencës ruse.
Sipas kanalit rus "Baza", i cili thuhet se është i afërt me policinë, parku është mbyllur sonte, dhe vizitorët janë thirrur të largohen nga zona. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe punonjës policie.



