Lavrov: Zelenski duhet të vijë në Moskë nëse dëshiron takim me Putin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski do të duhet të udhëtojë në Moskë nëse dëshiron një takim të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin. Këtë e përsëriti sërish shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, duke theksuar se Moska është e gatshme të garantojë sigurinë e presidentit ukrainas.
Lavrov theksoi se Putin ka deklaruar disa herë se është i gatshëm të takohet me Zelenskin, pavarësisht ngjarjeve gjatë gjashtë viteve të fundit, që nga ardhja në pushtet e liderit ukrainas.
"Ai e tha këtë pasi Zelenski bëri thirrje për një takim të drejtpërdrejtë. Dhe presidenti Putin u përgjigj se nëse Zelenski dëshiron të takohet, duhet të vijë në Moskë; ne do të sigurojmë sigurinë e tij", deklaroi Lavrov në një konferencë për shtyp pas ditës së parë të takimit të ministrave të jashtëm të G20 në Atlanta.
Në anën tjetër, ministri ukrainas i jashtëm Andrij Sybiha më parë deklaroi se Zelenski është i gatshëm të takohet me Putin dhe të bisedojë drejtpërdrejt për çështjet territoriale në kuadër të përpjekjeve për përfundimin e luftës, por se takimi nuk mund të mbahet në Moskë.
Në një intervistë për gazetën finlandeze "Helsingin Sanomat", Sybiha tha se për Kievin vendi i takimit nuk është thelbësor, me kusht që të mos jetë Moska ose Bjellorusia. Ai me një koment shaka shtoi se ndoshta duhet përjashtuar edhe Koreja e Veriut.
Sybiha e vlerësoi ftesën ruse për Zelenskin që të vijë në Moskë si "jo serioze".



