Shasivari njoftoi ndryshime në notariat dhe dixhitalizim të procedurave

Ministri i drejtësisë Jeton Shasivari njoftoi përmirësimin e legjislacionit në fushën e notariatit, përshtatjen me standardet moderne dhe dixhitalizimin e procedurave dhe shërbimeve. Këtë e theksoi në hapjen e manifestimit "Ditët e Notariatit 2026", organizuar nga Dhoma e Noterëve, me temë "Diskutimi i trashëgimisë: midis kornizës ligjore dhe praktikës noteriale".
Në fjalimin e tij, Shasivari theksoi rëndësinë e notariatit si një nga shtyllat e sistemit ligjor dhe garant i sigurisë juridike të qytetarëve. Ai vuri në dukje se puna e noterëve ka ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të drejtave pronësore, marrëdhënieve familjare dhe sigurinë e transaksioneve ligjore.
Ai theksoi se besimi i qytetarëve është kapitali më i madh i institucioneve, ndërsa profesioni noterial, përveç ekspertizës ligjore, kërkon integritet, pavarësi, etikë profesionale dhe nivel të lartë përgjegjësie.
Sipas Shasivarit, dixhitalizimi duhet të mundësojë procedura më të shpejta, pengesa administrative më të pakta, kosto më të ulëta, transparencë më të madhe dhe qasje më të lehtë të qytetarëve në shërbimet ligjore.
Në këtë proces, siç theksoi, Dhoma e Noterëve do të jetë një partner i rëndësishëm dhe i barabartë i Ministrisë së Drejtësisë, pasi reformat e qëndrueshme nuk zbatohen vetëm përmes ndryshimeve ligjore, por edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me profesionistët që zbatojnë ligjet çdo ditë.
Ministri shprehu shpresën se "Ditët e Notariatit 2026" do të mundësojnë diskutime thelbësore, shkëmbim përvojash dhe propozime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të notariatit.
"Siguria juridike ndërton besimin, profesionalizmi e mbron atë, dhe përgjegjësia e bën drejtësinë të prekshme për çdo qytetar", theksoi Shasivari.



