Dimitrievski: Provimi i drejtësisë do të mbahet në gjuhën maqedonase, nuk do të heqim dorë nga vijat e kuqe

„Derisa ZNAM është pjesë e Qeverisë, provimi i drejtësisë do të mbahet në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, në gjuhën maqedonase“. Këtë e theksoi kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, në raportimin e sotëm para qytetarëve në Koçan, ku së bashku me drejtuesit partiakë prezantuan rezultatet e punës dyvjeçare.
Nën moton „Dy vjet punë. Dy vjet rezultate. Një dashuri – Maqedonia“, Dimitrievski theksoi se për çështjet që lidhen me gjuhën maqedonase, sovranitetin shtetëror dhe respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve nuk ka hapësirë për pazare politike.
Duke iu referuar spekulimeve dhe kërkesave lidhur me mbajtjen e provimit të drejtësisë, ai tha se qëndrimi i ZNAM është i qartë dhe i pandryshueshëm.
„Mund të ketë kërkesa të ndryshme, presione dhe spekulime, por qëndrimi ynë është i qartë. Këto janë vijat tona të kuqe dhe nuk do të heqim dorë prej tyre. Ligjet dhe Kushtetuta duhet të respektohen, dhe gjuha maqedonase është themeli i identitetit tonë shtetëror. Për parimet që mbrojmë nuk kërkojmë alibi dhe nuk pranojmë kompromis që janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën“, theksoi Dimitrievski.
Ai u ndal edhe te rasti me Iva Mihajllovën, duke vlerësuar se pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet në Bullgari dhe apatia tek qytetarët bullgarë nuk duhet të mbulohen me krijimin e temave politike dhe përpjekje për presion ndaj Maqedonisë.
„Në lidhje me rastin me Iva Mihajllovën, i bëj thirrje autoriteteve bullgare të veprojnë në përputhje me urdhrin e arrestit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë dhe ta ekstradojnë për t'u përgjigjur para institucioneve kompetente për rastin për të cilin akuzohet. Presim respektim të procedurave ligjore dhe bashkëpunim me institucionet kompetente. Maqedonia është shtet sovran dhe nuk do të lejojmë që krijimi i temave të rreme politike të shtypë respektimin e rendit ligjor“, theksoi Dimitrievski.
Në panel-diskutim u paraqitën edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit dhe nënkryetar i ZNAM, Borçe Serafimovski, deputeti dhe nënkryetar i Lëvizjes, Pavle Arsoski, si dhe drejtori i Institutit Gjeologjik, Ivica Andov.
Serafimovski prezantoi masat për mbështetjen e bujqve, forcimin e prodhimit vendas dhe përmirësimin e kushteve të punës në bujqësi. Arsoski foli për rolin e Kuvendit në miratimin e zgjidhjeve ligjore dhe zbatimin e reformave, ndërsa Andov u ndal te burimet natyrore të Maqedonisë dhe përdorimi i tyre i përgjegjshëm për zhvillim ekonomik.
Nga ZNAM theksojnë se me raportimin në Koçan vazhdojnë komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe prezantimin e rezultateve deri tani, si dhe prioritetet për periudhën e ardhshme. Për Lëvizjen, thonë ata, raportimi nuk është formalitet, por detyrim ndaj qytetarëve.



