E shtunë, 31 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Lavrov: Nuk ka përparim në marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit, sanksionet vazhdojnë të jenë në fuqi

Kreu i diplomacisë ruse Sergej Lavrov vlerësoi se nuk ka përparim real në marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-së, pavarësisht pjesëmarrjes së tij në takimin e ministrave të jashtëm të G20 në Atlanta, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.

"Në praktikë, deri tani nuk është vërejtur asnjë përparim real në marrëdhëniet me SHBA-në", deklaroi Lavrov mbrëmë.

Ai paralajmëroi që të mos ushqeheshin iluzione lidhur me marrëveshjen për naftën dizel, e cila parashikon heqjen e përkohshme të disa sanksioneve për të mundësuar furnizimin me karburant rus dhe për të ndikuar në uljen e çmimeve në pikat e karburantit.

Lavrov shprehu pakënaqësi që, siç tha, çështjet thelbësore mbeten të pazgjidhura, ndërsa sanksionet e vendosura nga ish-presidenti amerikan Joe Biden vazhdojnë të zbatohen edhe nga administrata aktuale. Për më tepër, sipas tij, po vendosen edhe sanksione të reja kundër kompanive ruse të naftës "Lukoil" dhe "Rosneft".

Duke folur për bisedimet trilaterale të paralajmëruara mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, Lavrov tha se pozicionet negociuese janë të qarta. Sipas njoftimeve nga Kremlini, delegacionet planifikuan të takohen rreth mesit të nëntorit në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, për të vazhduar bisedimet për një zgjidhje të mundshme paqësore, të cilat u ndërprenë disa muaj më parë.

Lavrov kritikoi edhe ministrin gjerman të jashtëm Johan Wadephul, për shkak të reagimit të tij ndaj fotografisë së zakonshme të përbashkët të ministrave nga takimi i G20. Fotografimi i pjesëmarrësve në Atlanta u anulua pasi ministri gjerman deklaroi se nuk dëshiron që partnerët evropianë të fotografohen së bashku me Lavrovin.

"Unë e quaj këtë diplomaci e fotove familjare. Nëse gjëja më e rëndësishme për ta është si duken në një fotografi të përbashkët dhe kush qëndron pranë tyre, atëherë kjo tregon gjithçka", deklaroi Lavrov, transmeton DPA.

Lajme të ngjashme