E hënë, 26 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Uashingtoni pas humbjes së Vuçiqit: Presim vazhdimin e partneritetit me Serbinë

Departamenti Amerikan i Shtetit përshëndeti pjesëmarrjen e qytetarëve të Serbisë në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se pret me padurim vazhdimin dhe avancimin e mëtejshëm të partneritetit me deputetët e sapozgjedhur në Kuvendin Popullor dhe me qytetarët e Serbisë, transmeton Radio Evropa e Lirë (RSE).

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit deklaroi se janë njohur me rezultatet paraprake, përfshirë edhe pranimin e humbjes nga ana e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

"Presim me padurim të vazhdojmë dhe të avancojmë më tej partneritetin tonë me deputetët e sapozgjedhur në Kuvendin Popullor të Serbisë dhe me qytetarët e Serbisë, duke u mbështetur në përparimin e arritur gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe fillimin e Dialogut Strategjik", thuhet në njoftim.

Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të mbajtura më 25 tetor, Lista Studentore ka fituar 52.54 për qind të votave të zgjedhësve që dolën në votim, ndërsa "Serbia e Bashkuar", e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiq, ka marrë 39.29 për qind.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia në mes të korrikut filluan Dialogun Strategjik me qëllim thellimin e bashkëpunimit.

Të dy vendet atëherë, në kuadër të Dialogut Strategjik, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale energjetike.

Takimin e përfaqësuesve amerikanë dhe serbë më 17 korrik e hapi sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio.

Lajme të ngjashme