E hënë, 26 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Qeveria suedeze ndalon përdorimin e ChatGPT dhe Claude në kompjuterët zyrtarë

Punonjësit në shërbimet qeveritare suedeze nga sot nuk lejohen më të përdorin versionet në internet të ChatGPT dhe Claude në kompjuterët zyrtarë, për shkak të rreziqeve lidhur me sigurinë e të dhënave të ndjeshme, njoftoi "Euronews".

Vendimi vjen pas një rishikimi të mjeteve të inteligjencës artificiale që më parë këtë vit e ka kryer Administrata Suedeze e Transportit, ku janë identifikuar mënyra problematike të përdorimit të tyre në institucionet shtetërore.

Autoritetet paralajmërojnë se futja e informacionit të ndjeshëm në këto platforma, pa marrëveshje të përshtatshme për mbrojtjen e të dhënave, mund të çojë në ruajtjen dhe përdorimin e tyre për trajnimin e mëtejshëm të modeleve.

Mikael Vetterkrantz, drejtor për dixhitalizim në shërbimet qeveritare suedeze, ka paralajmëruar se përdorimi i platformave të pa rregulluara mund të ketë pasoja mbi sigurinë e informacionit.

Si alternativë rekomandohet "Copilot" i "Microsoft", i cili ka kaluar kontrollin e sigurisë dhe është përfshirë në marrëveshje për mbrojtjen e të dhënave me qeverinë suedeze.

Zyrtarët shtetërorë do të mund të vazhdojnë të përdorin inteligjencën artificiale, por nën mbikëqyrje më të rreptë. Një numri të kufizuar punonjësish do t’u lejohet të kenë akses në ChatGPT dhe Claude përmes një platforme të veçantë të zhvilluar nga autoritetet suedeze.

Sipas shërbimit publik suedez "Sveriges Radio", kufizime të ngjashme kanë vendosur edhe Administrata Tatimore dhe Këshilli Kombëtar për Kujdesin Institucional, ndërsa Administrata Suedeze e Ekzekutimit po shqyrton masa të tilla.

ChatGPT dhe Claude iu bashkohen kufizimeve që shërbimet qeveritare suedeze më parë i vendosën për platformën kineze DeepSeek. Javën e kaluar edhe SHBA-ja njoftoi ndalimin e produkteve dhe shërbimeve të kësaj kompanie kineze.

Lajme të ngjashme