E diel, 1 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

320 mijë njerëz në protesta në Francë, përplasje me policinë në disa qytete

Në disa qytete franceze sot u regjistruan përplasje mes demonstruesve dhe policisë, pasi në gjithë vendin dolën në protesta 320 mijë njerëz kundër kostove të larta të jetesës dhe kushteve të përkeqësuara në shkolla.

Pas një fillimi kryesisht paqësor të protestave, policia në orët e vona të pasdites përdori gaz lotsjellës në Paris dhe Lion.

Në Paris dëgjoheshin shpërthime nga mjete piroteknike, dhe në pamjet televizive shihet se si demonstruesit hedhin mjete djegëse ndaj policëve të pajisur për shpërndarjen e demonstratave. Disa policë u kapën nga flakët.

Ministria franceze e Punëve të Brendshme njoftoi se në protesta në të gjithë vendin morën pjesë 320 mijë njerëz, prej të cilëve 70 mijë në Paris.

Në Marsel u dogjën sende në rrugë, për të cilat ndërhynë edhe zjarrfikësit. Përplasje me policinë u raportuan edhe në Ren dhe Tuluzë.

Sipas njoftimit të prefekturës lokale, në Ren disa individë hodhën sende ndaj punonjësve të policisë.

Protestat u organizuan me thirrjen e sindikatave, organizatave shkollore dhe studentore, si dhe lëvizjes "Jelekët e Verdhë", e cila tërhoqi vëmendje më të gjerë në Francë në vitin 2018.

Lajme të ngjashme