E martë, 27 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Banka Popullore shënon Ditën Botërore të Kursimit dhe Ditët e Shkrim-leximit Financiar

Me qëllim të forcimit të edukimit financiar, nxitjes së përfshirjes financiare dhe rritjes së ndërgjegjësimit dhe mbrojtjes së konsumatorëve gjatë përdorimit të produkteve dhe shërbimeve financiare në kushtet moderne të dixhitalizimit, nga 28 tetori deri më 5 nëntor do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Kursimit – 31 tetor dhe Ditëve të Shkrim-leximit Financiar.

Për shënimin e Ditës Botërore të Kursimit – 31 tetor, Banka Popullore do të organizojë një punëtori për kursimin me nxënës, e cila do të mbahet në ambientet e një shkolle fillore, dhe më pas nxënësit do ta vizitojnë Bankën Popullore, ku do të njihen me funksionimin e institucionit. Gjithashtu, në Bankën Popullore do të organizohen ligjërata edukative, si dhe një kuiz për nxënësit e një shkolle të mesme. Në kuadër të bashkëpunimit me Bashkimin e Nxënësve të Shkollave të Mesme, këtë vit nxënësit do ta vizitojnë Bankën Popullore, ku do të organizohet një tryezë diskutimi me temë: „Rëndësia e kursimit për ekonominë dhe individin“, ku maturantët do të kenë mundësi të diskutojnë mbi temën e parave, kursimit, investimeve dhe menaxhimit të financave personale.

Në kuadër të Ditëve të Shkrim-leximit Financiar, Banka Popullore do të organizojë një ngjarje virtuale me temë: „Përfshirja financiare gjinore“ që do të mbahet më 4 nëntor 2026. Ligjëratën do ta mbajë Elizabeth Naumovski, e cila jeton në Kanada dhe është folëse e njohur në fushën e edukimit financiar dhe folëse motivuese për gratë. Gjithashtu, në bashkëpunim me Bankën Botërore, Banka Popullore do të publikojë një video edukative me temë: „Si të dërgoni para në shtëpi përmes SEPA – Zona e Vetme Evropiane e Pagesave“, me qëllim njohjen e popullatës me përparësitë e pagesave dhe të ardhurave ndërkufitare në euro, me mbi 40 vende anëtare të SEPA-s. Ndër të tjera, Banka Popullore do të organizojë edhe vizita në shkolla fillore në zonat rurale të vendit në kuadër të karvanit rural, me qëllim njohjen e nxënësve me funksionet dhe detyrat e Bankës Popullore.

Banka Popullore tashmë për të katërmbëdhjetin vit shënon Ditën Botërore të Kursimit. Ditët e Shkrim-leximit Financiar mbahen për të dhjetin vit dhe organizohen nga institucionet rregullatore financiare – Banka Popullore, Ministria e Financave, Komisioni për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitalit, Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimeve Pensionale Kapitaliste – MAPAS dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimeve, në bashkëpunim me sektorin privat financiar dhe organizatat qytetare.

Lajme të ngjashme