(Video) Qendra e Beogradit e bllokuar në ditën e zgjedhjeve – rrugë të mbyllura dhe prani e shtuar policore

Një pjesë e qendrës së Beogradit është e mbyllur për qarkullim, ndërsa janë ndryshuar edhe rrugët e transportit publik në segmentin nga Slavija drejt Terazije, raporton agjencia FoNet.
Me barriera mbrojtëse është bllokuar pjesa nga kryqëzimi pranë Londonit drejt Terazije, si dhe drejtimi nga Terazije drejt rrugës "Kral Milan". Në terren është vërejtur edhe prani e shtuar policore.
Një shofer autobusi në linjën 31 ka informuar pasagjerët se autoritetet e kanë njoftuar se për shkak të zgjedhjeve duhet të vozisë në rrugë të ndryshuar.
Në rrugën "Kral Milan" numër 14, në segmentin ndërmjet Terazije dhe Londonit, ndodhet selia e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KRZ).
KRZ: Në disa vendvotime pati vonesa në hapje
Kryetari i KRZ-së, Vladimir Dimitrijeviq, deklaroi se vendvotimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të sotme kryesisht janë hapur në kohë, në orën 7, por në disa prej tyre hapja ka vonuar pak për shkak të interesit të madh të votuesve dhe përgatitjeve të komisioneve zgjedhore.
Ai i bëri thirrje votuesve dhe anëtarëve të komisioneve zgjedhore të tregojnë mirëkuptim dhe durim, duke kujtuar se votimi do të zgjasë deri në orën 20.
Sipas të dhënave të KRZ-së, të drejtë vote kanë gjithsej 6.451.292 votues, të cilët do të votojnë në 8.392 vendvotime. Në fletën e votimit ndodhen 18 lista zgjedhore.
Dimitrijeviq i bëri thirrje anëtarëve të komisioneve zgjedhore që gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve të mbajnë rend në vendvotime dhe të veprojnë në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e KRZ-së.


