(Video) Radhë si në Beograd dhe në diasporë: Qindra serbë presin për të votuar në Los Anxhelos, turma edhe në Çikago dhe Paris

Një numër i madh qytetarësh serbë që jetojnë jashtë vendit dolën sot në mëngjes për të votuar në zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Serbi, dhe para vendvotimeve në disa qytete u formuan radhë të gjata.
Sipas portalit serb „Nova.rs“, shumë votues presin para vendvotimeve në Çikago dhe Santa Monica, dhe radhë të gjata janë vërejtur edhe në Uashington.
Interes i veçantë ka në Los Anxhelos, ku sipas dëshmisë së Gjorgje Stijepoviq për televizionin N1, qindra njerëz kanë pritur për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Ai tha se nuk kishte parë kurrë më parë kaq shumë njerëz duke votuar dhe se pritej që pritja të zgjasë orë të tëra.
Sipas fjalëve të tij, votues kanë ardhur nga pjesë të ndryshme të SHBA-së, përfshirë Kaliforninë, Teksasin dhe Arizonën. Disa prej tyre janë organizuar dhe kanë ardhur së bashku në qendrën e votimit në Santa Monica.
Radhë janë formuar edhe në Paris, ku votuesit kanë pritur nën çadra për shkak të shiut, si dhe në Lubjanë, ku interesi për votim, sipas pamjeve të publikuara nga media, ka qenë i madh.
Për votim jashtë vendit janë regjistruar gjithsej 102,147 votues, të shpërndarë në 93 vendvotime.
Numri më i madh i votuesve të regjistruar është në Gjermani – 20,107, dhe në Bosnje e Hercegovinë – 19,800. Pas tyre vijnë Austria, SHBA, Italia dhe Zvicra.
Votimi në diasporë zhvillohet paralelisht me zgjedhjet në Serbi, ku blloku qeverisës i Aleksandar Vuçiçit përballet me sfidë nga lëvizja studentore, e lindur nga protestat pas tragjedisë në Novi Sad.


