E diel, 25 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Serbia me pjesëmarrje rekord në mëngjes krahasuar me pesë ciklet e fundit zgjedhore

25.10.2026, 10:05

🔴Lajmet më të fundit për zgjedhjet në Serbi ndiqini KËTU.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi deri në orën 9 ka arritur në 12 për qind, që është më shumë se dyfish më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të zgjedhjeve parlamentare të mëparshme, tregojnë të dhënat e Cesid dhe Ipsos.

Për krahasim, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 deri në orën 9 kanë votuar 5,2 për qind e zgjedhësve. E njëjta pjesëmarrje ishte regjistruar edhe në vitet 2020 dhe 2016, ndërsa në vitin 2022 ishte 5,1 për qind, dhe në vitin 2014 ishte 5,3 për qind.

Pjesëmarrjen e shtuar e paralajmëruan edhe radhët e gjata që u formuan para shumë vendvotimeve që në orët e hershme të mëngjesit, si në Serbi ashtu edhe në diasporë.

Kanë të drejtë vote 6.451.292 zgjedhës, të cilët votojnë në 8.392 vendvotime. Votimi zgjat nga ora 7 deri në 20, dhe për 250 vende deputetësh garojnë 18 lista zgjedhore.

Betja kryesore politike zhvillohet mes listës "Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar" dhe listës studentore, e cila u formua nga protestat disa mujore pas rrëzimit të çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Protestat studentore u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe për përgjegjësi të institucioneve, dhe këto zgjedhje konsiderohen si një nga testet më të rëndësishme politike për bllokun rreth Partisë Progresive Serbe në 14 vitet e fundit.

Anketat parazgjedhore tregonin një garë të pasigurt. Hulumtimi i NSPM, i kryer nga 25 shtatori deri më 5 tetor mes zgjedhësve që kishin vendosur për kë do të votonin, i jepte mbështetje prej 44,5 për qind listës studentore, kundrejt 42,7 për qind për listën e Vuçiçit.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 pjesëmarrja përfundimtare ishte 58,77 për qind, ndërsa në vitin 2022 ishte 58,6 për qind. Në zgjedhjet e vitit 2020, kur një pjesë e opozitës bojkotoi zgjedhjet, pjesëmarrja ra në 48,93 për qind.

Lajme të ngjashme