Pesë vite Spitali Klinik në Bitola nuk bën spermogramë, pacientët detyrohen të paguajnë 150 euro për analizë, reagon Levica

„Në kushte kur Maqedonia përballet me një rënie serioze të natalitetit, ashtuquajtura "murtaja e bardhë", dhe Qeveria dhe ministrat përgjegjës vazhdimisht bëjnë thirrje për familje me më shumë fëmijë, realiteti me të cilin përballen qytetarët është krejtësisht ndryshe.
Tek Levica me letër reaguan qytetarë nga Bitola dhe komunat përreth, duke alarmuar për pamundësinë e spermogramit në Spitalin Klinik "Dr. Trifun Panovski" – Bitola. Bëhet fjalë për Spital Klinik, e jo për një institucion të vogël shëndetësor, ku kjo analizë bazë nuk bëhet më shumë se pesë vjet“, paralajmërojnë nga Levica.
Për këtë arsye, pacientët, vlerësojnë në parti, detyrohen të udhëtojnë në qytete të tjera, si Ohër dhe Prilep, për ta bërë analizën në institucionet shëndetësore shtetërore, ose të paguajnë në laboratorë privatë.
„Sipas informacioneve të dorëzuara tek Levica, çmimi i një spermogrami në laborator privat është rreth 150 euro, që përbën një barrë serioze financiare për çiftet që tashmë përballen me probleme të pjellorisë“.
Veçanërisht i rëndë, siç theksojnë, është problemi për çiftet që përgatiten për fertilizim in vitro (IVF), sepse gjatë procedurës shpesh është e nevojshme që analiza të përsëritet disa herë.
„Kjo nënkupton shpenzime të përsëritura, udhëtime, mungesë në punë dhe stres shtesë në një periudhë që edhe ashtu është emocionalisht dhe financiarisht shteruese.
Nga njëra anë, ministrja e arsimit Vesna Janevska bën thirrje tek fëmijët të kërkojnë një vëlla ose motër, dhe Qeveria flet për nevojën e familjeve me më shumë fëmijë dhe përballjen me rënien e natalitetit. Nga ana tjetër, qytetarët edhe para se të arrijnë shtatzëninë përballen me shërbime shëndetësore të paarritshme, shpenzime financiare shtesë dhe institucione që për vite nuk arrijnë të sigurojnë diagnostikë bazë“.
Levica kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtuesit e Spitalit Klinik "Dr. Trifun Panovski" të përcaktojnë urgjentisht arsyet pse kjo analizë nuk bëhet më shumë se pesë vjet dhe të marrin masa konkrete për rivendosjen e shërbimit. Është e nevojshme, theksojnë, të sigurohet pajisje e përshtatshme, staf profesional dhe kushte që spermogrami të jetë përsëri i disponueshëm në Spitalin Klinik të Bitolës.



