Kush janë njerëzit që e mundën Vuçiqin? Këto janë emrat kyç

Aleksandar Vuçiqi humbi zgjedhjet nga një lëvizje politike që para dy vjetësh fare nuk ekzistonte. „Lista e studentëve“ – e cila u krijua nga protestat pas tragjedisë në Novi Sad – sipas projeksioneve fillestare, siguroi shumicën absolute në parlamentin serb, duke vënë kështu fund sundimit 14-vjeçar të Partisë Progresive Serbe.
Por, kush janë njerëzit që e mundën Vuçiqin? Ndryshe nga partia e tij, „Lista e studentëve“ nuk ka një lider politik dominues. Midis 250 kandidatëve të saj ka mjekë, profesorë universitarë, juristë, ekonomistë, aktorë, sportistë dhe aktivistë. Shumica prej tyre nuk kanë pasur kurrë funksione të larta shtetërore.
Midis emrave më të njohur janë legjenda e basketbollit Dejan Bodiroga, ish-guvernatori i Bankës Popullore të Serbisë Dejan Shoškiq, aktori Tihomir Staniq dhe sociologu Jovo Bakiq. Megjithatë, në krye të listës ndodhet një njeri shumë më pak i njohur për publikun e gjerë: Ilija Srdanoviq, kardiolog nga Novi Sad.
Mjek nga Novi Sad udhëheq listën
Ilija Srdanoviq është kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad. Si i pari në listë, ai udhëheq grupimin, i cili zyrtarisht quhet „Lista e studentëve – Studentët fitojnë“.
Zgjedhja e tij ka një kuptim simbolik. Pikërisht në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, u rrëzua çatia e stacionit hekurudhor, ku humbën jetën 16 persona – ngjarje që nxiti lëvizjen më të madhe protestuese kundër administratës së Vuçiqit.
Srdanoviq nuk është politikan profesionist. Kandidatura e tij pasqyron vendimin e lëvizjes studentore për t’u dhënë përparësi njerëzve nga profesione të ndryshme, në vend të funksionarëve të njohur partiakë.
Pas tij në listë është mjekja Katarina Stankoviq, ndërsa në vendin e katërt është kirurgu Aleksandar Cvetkoviq. Vendi i tretë i takoi shkrimtarit dramatik Zheljko Hubach, i njohur për punën e tij në seriale televizive dhe në teatër.
Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis vendit të parë në listën zgjedhore dhe kandidaturës për kryeministër. Pozicioni i Srdanoviqit nuk do të thotë automatikisht se ai do të bëhet kryeministër. Lëvizja studentore ende nuk ka konfirmuar se kush do të udhëheqë qeverinë e ardhshme.
Bodiroga, Shoškiq dhe aktorë të njohur
Një nga emrat më të spikatur të „Listës së studentëve“ është padyshim Dejan Bodiroga – ish-anëtar i përfaqësueses jugosllave të basketbollit, kampion bote dy herë, kampion evropian trefish dhe president i Euroligës.
Bodiroga ndodhet në vendin e 24-të në listë. Emri i tij i jep lëvizjes një nivel njohjeje që shtrihet shumë përtej rrethit të atyre që morën pjesë në protestat studentore.
Në vendin e 27-të është Dejan Shoškiq, ekonomist dhe ish-guvernator i Bankës Popullore të Serbisë, i cili ka shërbyer në këtë funksion nga viti 2010 deri në 2012. Eksperienca e tij është veçanërisht e rëndësishme për politikën ekonomike të një qeverie të ardhshme.
Midis kandidatëve është edhe aktori Tihomir Staniq, i njohur për publikun e gjerë për rolet e tij të shumta në film dhe televizion. Ai zë vendin e tetë në listë.
Personalitete të tjera të shquara janë ish-përfaqësuesi në atletikë Mihail Dudaš, ish-futbollisti profesionist Mirko Poledica dhe Feđa Dimoviq – avokat dhe anëtar i grupit muzikor „Beogradski Sindikat“.
Profesorë, aktivistë dhe persona që denoncuan korrupsionin
Një pjesë e konsiderueshme e listës përbëhet nga profesorë universitarë dhe ekspertë që kritikuan publikisht pushtetin gjatë protestave.
Midis tyre është sociologu Jovo Bakiq, profesor në Fakultetin e Filozofisë në Beograd dhe kritik i gjatë i politikave të Vuçiqit. Ai ndodhet në vendin e 76-të në listë.
Në listë janë edhe psikologu Aleksandar Baucali, Mirjana Nikoliq – rektorja e Universitetit të Arteve në Beograd – si dhe inxhinieri Zoran Gjajiq. Gjajiq është veçanërisht interesant për shkak të lidhjes së tij me rastin e stacionit në Novi Sad. Si inxhinier i angazhuar në punimet e këtij objekti, ai paralajmëroi publikisht për parregullsi dhe probleme lidhur me rindërtimin. Ai ndodhet në vendin e 58-të në listë. Midis kandidatëve është edhe Zlatko Kokanoviq, bujk dhe një nga kundërshtarët e shquar të projektit për shfrytëzimin e litiumit në luginën e Jadarit. Si përfaqësues i shoqatës „Nuk e japim Jadarin“, ai mori pjesë në protestat kundër projektit të „Rio Tinto“.
Në listë është edhe avokatja Sara El Sarag, e cila publikisht paraqiti propozimet e lëvizjes studentore për reforma në drejtësi.


