E hënë, 26 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

(Foto) Shkatërruan 470 kilogramë qebape, pleskavica dhe organe të brendshme të gjetura në një frigorifer të paregjistruar në Komunën e Vasilevës, njoftoi AHV

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AHV), javën e kaluar, kreu një inspektim të jashtëzakonshëm tek një person juridik – mishpjekës në Komunën e Vasilevës, ku në një pronë private u zbulua një frigorifer që nuk ishte regjistruar në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.

Gjatë kontrollit, veterinerët zyrtarë të AHV-së në frigorifer gjetën dhe sekuestruan 400 kilogramë përgatitje të ngrira të mishit, pleskavica dhe qebape, si dhe 70 kilogramë organe të brendshme. E gjithë sasia e sekuestruar e përgatitjeve të mishit dhe organeve të brendshme u shkatërrua në mënyrë të sigurt në deponi, në përputhje me procedurat ligjore të përcaktuara, thonë nga AHV-ja.

Për shkak të parregullsive të konstatuara, u mor masa për mbylljen e përkohshme të frigoriferit, ndërsa personit juridik iu shqiptuan edhe gjoba për punë në objekt të paregjistruar dhe për mosetiketim të produkteve.

Kjo çështje është një konfirmim tjetër për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme inspektimore, me të cilat AHV-ja kryen mbikëqyrje mbi veprimtarinë e operatorëve të ushqimit, respektimin e detyrimeve ligjore dhe përmbushjen e kushteve për sigurinë e ushqimit që prodhohet, ruhet dhe vihet në qarkullim.

Në periudhën nga janari deri në gusht 2026, shërbimet inspektuese të AHV-së kanë kryer gjithsej 74.838 inspektime. Kontrollimet përfshijnë segmente të ndryshme të zinxhirit ushqimor në tregun vendas dhe import, me qëllim zbulimin dhe heqjen në kohë të parregullsive dhe parandalimin e qarkullimit të ushqimit të pasigurt në treg. Në këtë periudhë janë shkatërruar 69.776 kilogramë ushqim të pasigurt nga tregtia vendase dhe importi, është ndaluar importi i 21.105 kilogramëve ushqim të pasigurt jo me origjinë shtazore, dhe në vendet e origjinës janë kthyer dërgesa me gjithsej 122.602 kilogramë ushqim me origjinë shtazore.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari vazhdon me kryerjen e kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme inspektimore në të gjithë territorin e vendit. Prioritet mbetet mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, parandalimi i qarkullimit të ushqimit të pasigurt, respektimi i rregullave ligjore dhe mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve, njoftojnë nga AHV-ja.

Lajme të ngjashme