E diel, 1 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Policia me mburoja dhe shkopinj shpërndan kampin e demonstruesve në Lisbonë

Policia portugeze herët në mëngjes me përdorimin e mburojave dhe shkopinjve hoqi kampin e tendave në sheshin Rosio, në qendër të Lisbonës, pasi qindra demonstrues u përpoqën të pengonin rrëzimin e tendave të vendosura pas protestës masive të djeshme kundër ligjit qeveritar për qiratë.

Portugalia po përballet me një nga krizat më të rënda të banimit në Evropë, dhe të rinjtë janë veçanërisht të prekur. Çmimet e pronave janë rritur më shumë se dyfish që nga viti 2017, ndërsa qiratë për kontratat e reja pothuajse janë dyfishuar. Demonstruesit paralajmërojnë se ndryshimet e propozuara ligjore do të përkeqësojnë më tej situatën.

Pas protestës së djeshme, ku u mblodhën disa mijëra njerëz, pjesëmarrësit vendosën më shumë se 50 tenda në sheshin Rosio. Ata njoftuan se do të vazhdojnë me protestat kundër projektligjit të qeverisë, me të cilin do të lehtësohet dëbimi i qiramarrësve dhe do të hiqen kufizimet për qiratë e kontratave të reja.

Rreth orës 3:30 të mëngjesit, dhjetëra policë, përfshirë edhe punonjës me qentë, mbërritën në shesh. Komandanti i policisë paralajmëroi tre herë demonstruesit se duhet të largojnë tendat sepse janë vendosur në mënyrë të paligjshme.

Ai paralajmëroi gjithashtu se ata që nuk do t'i respektojnë urdhrat e policisë mund të përballen me akuza për mosbindje. Duke qenë se demonstruesit refuzuan të largohen nga kampi, policia filloi të heqë tendat, duke përdorur mburoja për të shtyrë turmën. Në disa raste u përdorën edhe shkopinj për shpërndarjen e njerëzve të mbledhur.

Policia natën e kaluar hoqi edhe një kamp më të vogël tendash në sheshin Dom João I në Porto, qyteti i dytë më i madh në Portugali. Edhe atje demonstruesit u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikës qeveritare për banimin.

Një përfaqësues i Partisë Socialiste, Pedro Delgado Alves, paralajmëroi më parë se tubimi në sheshin Rosio ishte paqësor dhe se nuk kishte arsye për ndërhyrje të dhunshme policore.

Sipas tij, asgjë nuk justifikon "ndërhyrjen policore me përdorim force, dhunë fizike apo goditje me shkopinj, skena të tilla si ato që pamë javën e kaluar".

Policia u kritikua edhe fundjavën e kaluar për mënyrën se si hoqi kampet e tendave nga të njëjtat sheshe. Atëherë gjithashtu u përdorën shkopinj dhe u arrestuan dhjetëra demonstrues.

Protestat për shkak të kostove të larta të banimit janë intensifikuar në Portugali në javët e fundit. Tubime të ngjashme po mbahen edhe në Spanjë, Francë, Gjermani dhe vende të tjera evropiane.

Lajme të ngjashme