E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

DPM: Është koha për një zgjidhje sistematike për deponitë e egra dhe jo standarde

12.10.2026, 09:01

"Zjarret në deponinë jo standarde "Krasta" në Kumanovë, e cila digjet tashmë gjashtë muaj, dhe në deponinë në Strumicë janë një alarm se menaxhimi i mbeturinave komunale në Maqedoni kërkon ndryshime urgjente dhe thelbësore. Djegia e mbeturinave ndot ajrin dhe mund të lëshojë përbërës të rrezikshëm, përfshirë dioksinat dhe furanet kancerogjene. Shëndeti i qytetarëve nuk duhet të jetë peng i një sistemi jo funksional", thonë nga DPM.

"'Krasta' përdoret me vendim të Komunës së Kumanovës, por nuk ka leje për deponim nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas të dhënave të Ministrisë, leje ligjore për deponim kanë vetëm tri deponi në shtet: "Drisla" dhe deponitë në Gjevgjeli dhe Gostivar.

Inspektorët komunalë dhe Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor duhet të veprojnë në mënyrë efikase, secili brenda kompetencave të veta. Nuk mjafton që institucionet të reagojnë pasi të shpërthejë zjarri – nevojiten parandalim, kontroll dhe përgjegjësi.

Sistemi rajonal për menaxhimin e mbeturinave vonon prej vitesh, ndërsa deponia rajonale pranë Shën Nikollës ende nuk është realizuar. DPM kërkon rishikim të qasjes së deritanishme dhe zgjidhje konkrete në vend të premtimeve të reja.

Përveç sistemit rajonal, duhet të analizohet mundësia për një impiant qendror për shfrytëzim energjetik të mbeturinave, me kapacitet deri në 300.000 tonë në vit dhe investim të vlerësuar prej 100 deri në 120 milionë euro. Një investim i tillë duhet të justifikohet me studim fizibiliteti, procedurë transparente dhe standarde të rrepta mjedisore.

Djegia e mbeturinave nuk duhet të jetë justifikim për ngarkim shtesë të qytetarëve me ndotje. Në kontekstin e përdorimit të mbeturinave si karburant alternativ, DPM konsideron se duhet të ketë transparencë të plotë për llojet dhe sasinë e mbeturinave që përdoren, emetimet dhe rezultatet e monitorimit. Çdo impiant i ri për trajtimin ose shfrytëzimin energjetik të mbeturinave duhet të planifikohet në vendndodhje të përshtatshme, jashtë zonave të banuara, me vlerësim të ndikimit në mjedis dhe shëndetin e njerëzve, kontroll të rreptë të emetimeve dhe të dhëna të disponueshme për publikun.

Shfrytëzimi energjetik nuk duhet të zëvendësojë selektimin dhe riciklimin, por t'i plotësojë ato. Nevojiten stimuj për selektim primar, mbledhje dhe trajtim më efikas të mbeturinave, mbikëqyrje më e fuqishme inspektimore dhe shpenzim llogaridhënës i fondeve publike dhe evropiane.

Të gjitha qeveritë deri tani kanë ngarkuar shtetin me miliarda euro borxhe. Nëse marrim borxh, fondet duhet të investohen në sisteme funksionale që sjellin përfitime afatgjata për qytetarët.

Ajri i pastër, shëndeti i njerëzve dhe mbrojtja e mjedisit duhet të jenë prioritet. Është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje sistematike!", thuhet në njoftimin e DPM.

Lajme të ngjashme