Trump thërret për ndryshim të Zelenskyt: Është koha që Ukraina të ketë një president të ri

Presidenti amerikan Donald Trump haptazi bëri thirrje për ndryshim të udhëheqjes ukrainase, duke vlerësuar se është koha që Ukraina të ketë një president të ri në vend të Volodymyr Zelenskyt, transmeton agjencia AP.
"E dini çfarë propozoj? Propozoj që të kenë një udhëheqës të ri që mund të arrijë një marrëveshje. Sepse ai mund të kishte arritur shumë marrëveshje, por për ndonjë arsye kurrë nuk e bën këtë. Mendoj se është koha që Ukraina të ketë një president të ri", deklaroi Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Trump e akuzoi Zelenskyn edhe se me sulmet ndaj rafinerive ruse po shkakton probleme në furnizimin global me naftë dizel.
"Ne u thamë: Bëni çfarë të doni me Rusinë, por mos sulmoni rafineritë sepse kështu i krijoni problem gjithë botës", tha Trump, duke shtuar se presidenti ukrainas duhet të ndalojë këto sulme.
Deklaratat vijnë pas marrëveshjes që Trump arriti me presidentin rus Vladimir Putin për furnizimin me sasi të mëdha nafte dizel ruse në tregun botëror, me qëllim lehtësimin e rritjes së çmimeve të karburanteve, e nxitur më tej nga lufta me Iranin.
Sipas njoftimit, Rusia duhet menjëherë të dorëzojë më shumë se 300,000 tonë naftë dizel, 500,000 tonë shtesë në nëntor dhe një milion tonë më pas.
Zelensky kritikoi ashpër marrëveshjen, duke paralajmëruar se të ardhurat nga shitja e energjenteve ruse do t'i mundësojnë Moskës të vazhdojë luftën. Ai theksoi se Rusia ka reaguar ndaj lehtësimit të sanksioneve me sulm ndaj Zaporizhzhias, ku sipas autoriteteve ukrainase të cituara nga AP, kanë vdekur të paktën 20 persona, përfshirë tre fëmijë.
Portali amerikan "Axios" publikoi se Trump arriti marrëveshjen me Putin pasi Zelensky injoroi të paktën gjashtë kërkesa amerikane për ndalimin e sulmeve ndaj rafinerive ruse. Sipas një zyrtari amerikan, Zelensky ishte i gatshëm të ndalonte sulmet nëse Rusia njëkohësisht ndalonte sulmet ndaj centraleve elektrike ukrainase, por Uashingtoni kërkonte një ndalim të njëanshëm.
Tensioni u rrit më tej gjatë negociatave në Miami, ku përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner biseduan me përfaqësues ukrainas dhe evropianë. Sipas një zyrtari ukrainas, pala amerikane përmendi mundësinë e ndalimit të shkëmbimit të informacionit të inteligjencës me Kievin, çka u mohua nga një zyrtar amerikan.
Megjithë marrëveshjen me Trump, Putin deri tani nuk është pajtuar për vazhdimin urgjent të negociatave paqësore me Ukrainën, tha këshilltari i tij Yuri Ushakov.



