E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Gerasimovski: Deri sa të gjejmë një zgjidhje ligjore dhe të pranueshme, drafti i DUP-it „Barutana“ nuk do ta vendos në rendin e ditës së Këshillit

momentale.mk14.10.2026, 11:32

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, në briefingun e sotëm me gazetarët theksoi se drafti i DUP-it „Barutana“ nuk do të vendoset në rendin e ditës së Këshillit derisa të gjendet një zgjidhje ligjore dhe e pranueshme për të gjitha çështjet e hapura, veçanërisht për stabilitetin e terrenit dhe rrugën hyrëse.

„Qëndrimi im është i qartë. Deri sa të gjejmë një zgjidhje ligjore dhe të pranueshme për të gjitha çështjet e hapura, unë si kryetar komunë nuk do të propozoj që ky draft i DUP-it të vendoset në rendin e ditës së Këshillit. Për Vodnon duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm. Nuk mjafton vetëm të plotësohen procedurat formale, por duhet të sigurohemi që zgjidhjet të jenë të sigurta, ligjore dhe në interes të qytetarëve“, theksoi Gerasimovski.

Ai informoi se Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim (DMS) ka dhënë mendim pozitiv për draftin e DUP-it „Barutana“, duke konfirmuar se kushtet në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit janë integruar në mënyrë të përshtatshme në dokumentacionin planifikues.

Mendime dhe vlerësime pozitive kanë dhënë edhe Komisioni për urbanizëm i Qytetit të Shkupit, Agjencia për kadastrën e pasurive të paluajtshme, NP „Ujësjellësi dhe kanalizimi“ – Shkup, Sektori për ujëra dhe Sektori për natyrën pranë Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Agjencia për komunikime elektronike, ESM-Topllifikacioni, Agjencia për aviacion civil, Administrata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, AD „Menaxhimi i ujërave“ dhe Ministria e punëve të brendshme.

Gerasimovski theksoi se mendimet pozitive nga institucionet nuk nënkuptojnë miratim automatik të draftit të DUP-it, as që me to përfundon procedura.

„Mendimet e institucioneve janë të rëndësishme, por për mua është po aq e rëndësishme të heqim të gjitha dyshimet rreth stabilitetit të terrenit. Prandaj, përveç analizave që tashmë i kemi, do t’i kërkojmë shtëpisë planifikuese të porosisë një studim të veçantë nga Fakulteti i Ndërtimtarisë për vlerësimin e rrezikut nga erozioni, rrëshqitja dhe paqëndrueshmëria e pjerrësive. Dua të kemi një pamje të qartë dhe të plotë profesionale para se të merren vendime përfundimtare“, tha Gerasimovski.

Në fund, Gerasimovski potencoi edhe një herë se Komuna ka detyrë ligjore të udhëheqë procedurën për draftin e DUP-it „Barutana“, por kjo nuk do të thotë se plani duhet të miratohet.

„Kemi detyrë ligjore të udhëheqim procedurën, por kjo nuk do të thotë se drafti i DUP-it duhet të miratohet me çdo kusht. Do të shqyrtojmë të gjitha vërejtjet, do të bëjmë analizat e nevojshme shtesë dhe do të kërkojmë një zgjidhje që nuk do të rrezikojë sigurinë e qytetarëve. Deri sa të sqarojmë këto çështje, nuk do të propozoj që drafti i DUP-it „Barutana“ të jetë në rendin e ditës së Këshillit“, përfundoi Gerasimovski.

Lajme të ngjashme