Më shumë edukim për sigurinë në trafik në shkolla, njoftoi Janevska

Strategjia kombëtare për sigurinë në trafikun rrugor 2026-2030 përbën një dokument strategjik të rëndësishëm që njeh kontributin e arsimit në krijimin e një kulture trafiku dhe përmirësimin afatgjatë të sigurisë në trafik, tha ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, në promovimin e Strategjisë së re.
„Arsimi është një nga mekanizmat më të fuqishëm parandalues. Njohuritë, qëndrimet dhe zakonet që kontribuojnë në pjesëmarrje të sigurt në trafik duhet të zhvillohen që në moshë të hershme, duke filluar nga edukimi parashkollor dhe duke vazhduar në të gjitha nivelet e procesit arsimor. Temat për sigurinë në trafik janë të integruara në punën edukativo-arsimore, përmes aktiviteteve mësimore dhe jashtëmësimore, si dhe fushatave në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me organizata profesionale dhe me njësitë e vetëqeverisjes lokale“, theksoi ministrja Janevska, duke shtuar se të dhënat për aksidentet rrugore dhe sjelljen me rrezik të pjesëmarrësve të rinj në trafik tregojnë se është i nevojshëm një qasje edhe më e koordinuar.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Zyrën për Zhvillimin e Arsimit do të punojë në përmirësimin e mëtejshëm të përmbajtjeve dhe aktiviteteve edukativo-arsimore me të cilat nxënësit do të fitojnë njohuri praktike, do të njohin rreziqet në trafik dhe do të zhvillojnë zakone për sjellje të përgjegjshme dhe të sigurt, përfshirë edhe përdorimin e duhur të pajisjeve mbrojtëse.
Janevska theksoi se edukimi i suksesshëm nuk është i mundur pa mësues të përgatitur dhe burime moderne mësimore dhe për këtë arsye, një pjesë e aktiviteteve do të përqendrohen në fuqizimin e kompetencave të stafit mësimor dhe sigurimin e materialeve dhe mjeteve edukative të përshtatshme për punën me nxënësit.
Ajo mbështeti idenë për forcimin e zonave të sigurisë rreth shkollave, parqeve dhe qendrave të lagjeve, përmes partneriteteve me komunat dhe organizatat qytetare.
„Krijimi i një mjedisi më të sigurt rreth vendeve ku qëndrojnë fëmijët është një detyrë e përbashkët e të gjitha institucioneve dhe të gjithë komunitetit. Po aq e rëndësishme është që të rinjtë të fitojnë njohuri dhe aftësi bazë për veprim të duhur në minutat e para kritike pas një aksidenti rrugor, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe institucionet shëndetësore“, tha ministrja.
Suksesi i Strategjisë varet nga aftësia për veprim të përbashkët dhe të koordinuar. Janevska i inkurajoi shkollat, institucionet, familjet, sektorin qytetar dhe komunitetet lokale të ndërtojnë një kulturë të qëndrueshme të sigurisë, e nevojshme si përgjigje ndaj rreziqeve me të cilat përballemi si shoqëri.



