OKTA, MPB dhe Këshilli Republikan për Sigurinë në Trafik me fushatë të re për siguri më të madhe në trafik

„Kujdesu për të arritur. Që të arrijmë të gjithë“ është mesazhi kryesor i fushatës së re shoqërore përgjegjëse brenda platformës edukative „Unë kujdesem“, e cila fillon më 29 tetor dhe do të zbatohet nga OKTA, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Këshillin Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Duke nisur nga ideja se në trafik secili prej nesh është pjesë e një tërësie më të gjerë, fushata vendos theksin në vëmendjen, praninë dhe përgjegjësinë për sigurinë tonë dhe të pjesëmarrësve të tjerë.
Përmes platformës „Unë kujdesem“, OKTA investon vazhdimisht në rritjen e vetëdijes publike për siguri më të madhe në trafik. Këtë vit fushata është e fokusuar në nxitjen e përgjegjësisë personale dhe vetëdijes te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke i inkurajuar ata të ndalojnë për një moment dhe të mendojnë se çfarë mund të mos po vërejnë ndërsa drejtojnë një mjet, kalojnë rrugën apo lëvizin me biçikletë, motoçikletë ose skuter.
„Besojmë se përmes sjelljes përgjegjëse dhe kujdesit më të madh ndaj njerëzve përreth mund të kontribuojmë së bashku për një mjedis trafiku më të sigurt. Sepse qëllimi ynë nuk është që secili individ të arrijë në destinacionin e tij në mënyrë të sigurt, por që të gjithë të arrijmë në qëllimin tonë në mënyrë të sigurt,“ deklaroi Dimitrios Pashos, drejtor ekzekutiv i OKTA-s.
Me konceptin krijues „Çfarë humb kur nuk kujdesesh?“, fushata i nxit qytetarët të njohin rreziqet që shpesh mbeten të padukshme në trafik, si dhe rreziqet nga shpërqendrimi, veçanërisht nga telefonat celularë. Ajo do të zbatohet përmes kanaleve të ndryshme komunikimi, si dhe përmes aktiviteteve në terren të fokusuar në rritjen e vetëdijes për rëndësinë e pjesëmarrjes së sigurt në trafik.
„Siguria në trafik fillon me respektimin e rregullave, por edhe me vetëdijen se çdo veprim i yni mund të ndikojë tek të tjerët. Drejtuesit duhet të monitorojnë vazhdimisht situatën në trafik, të kontrollojnë pasqyrat dhe këndet e verbëra dhe të mos lejojnë që telefoni celular apo faktorë të tjerë t’u shpërqendrojnë vëmendjen. Në të njëjtën kohë, të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë të kujdesshëm dhe përgjegjës në lëvizjen e tyre. Përmes mbështetjes së fushatës „Unë kujdesem“ duam të theksojmë më tej rëndësinë e parandalimit dhe sjelljes përgjegjëse në trafik,“ deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Theksi i veçantë në fushatë vihet në dukshmërinë dhe vlerësimin e duhur të rreziqeve. Nuk mjafton vetëm të vërejmë pjesëmarrësit e tjerë në trafik, por është e rëndësishme që edhe ne vetë të jemi të dukshëm, të respektojmë rregullat dhe të mos supozojmë se të tjerët gjithmonë na kanë vërejtur. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për këmbësorët, biçiklistët dhe përdoruesit e skuterëve, të cilët janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve në trafik.
„Pjesëmarrja e përditshme në trafik kërkon vëmendje të vazhdueshme, vlerësim të mirë dhe përgjegjësi. Prandaj është e rëndësishme të mos mbështetemi në supozime, por të kontrollojmë edhe një herë, të përqendrojmë vëmendjen në rrugë dhe të jemi të vetëdijshëm për të gjithë përreth nesh. Me iniciativa të tilla duam të nxisim një kulturë trafiku ku secili pjesëmarrës kujdeset jo vetëm për sigurinë e vet, por edhe për atë të të tjerëve,“ deklaroi Goran Angelovski, kryetar i Këshillit Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor.
Në vitin 2017, OKTA filloi zyrtarisht zbatimin e platformës kombëtare „Unë kujdesem“, me qëllim të kontribuojë në rritjen e vetëdijes publike për sigurinë në trafik dhe zhvillimin e zakoneve më përgjegjëse te të gjithë pjesëmarrësit. Gjatë viteve të kaluara, përmes aktiviteteve edukative, fushatave dhe iniciativave konkrete, kompania ka mbështetur aspekte të ndryshme të sigurisë në trafik, nga edukimi i fëmijëve dhe sigurimi i shenjave reflektuese për nxënësit e klasës së parë, deri te përmirësimi i sigurisë së këmbësorëve dhe mbështetja për kategoritë e cenueshme të pjesëmarrësve në trafik.
(PR)



