E enjte, 29 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Mickoski: Pas 6 muajsh nga skandalet e paralajmëruara për kreditin hungarez, nuk ka asnjë "K" të krimit

Kryeministri, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për ngritjen e pyetjeve deputetore, i hodhi poshtë akuzat e kryetarit të opozitës LSDM, Venko Filipçe, duke i treguar se përpjekjet për të lidhur ngjarjet aktuale politike në Serbi me të dhe me Qeverinë bazohen, siç tha, në gënjeshtra dhe konstruksione politike.

"Këto konferenca për shtyp që partia juaj politike i transmeton, dhe që lidhen me zgjedhjet në Serbi dhe lidhjen e tyre me ne në kontekstin se kush ka qenë mentor i kujt dhe si, nuk do t'i komentoj. Do të lë kohën të japë përgjigje për gjithçka që ju thoni sot dhe gënjeshtrat që dërgoni. Unë dje në një deklaratë time kërkova falje qytetarëve për gjithçka që do të dëgjojnë në periudhën që vjen. Kjo është thjesht niveli me të cilin ju mendoni se do të fitoni vota në këtë moment. Është vendimi juaj, drejtoni politikën ashtu si mendoni. Por, nëse më pyesni për këshillë, mendoj se hapat janë shumë të gabuar. Por, është vendimi juaj, unë nuk do të ndërhyj", deklaroi Mickoski dhe shtoi:

"Të njëjtën gjë e thoshit edhe për Orban para 6 muajsh, të njëjtat konferenca për shtyp nga A në Zh. Krahasojini edhe në këto 6 muaj, dhe atëherë thoshit se do të zbuloheshin krimet e Mickos me Orban, nuk di çfarë po ndodhte etj. Por, ja kaluan 6 muaj dhe u zbulua një gjë, se kemi marrë një kredi të mirë financiare nga Hungaria. Kredi që e kemi përdorur në mënyrë të përshtatshme, dhe dëshmi për këtë nëse e kemi përdorur në mënyrë të përshtatshme është raporti i sotëm i Entit Shtetëror për Auditim."

Kryeministri Mickoski theksoi se në vend të skandaleve të paralajmëruara nga opozita LSDM, informacionet deri tani tregojnë se mjetet nga kredia hungareze janë përdorur për mbështetjen e ekonomisë dhe të biznesit vendas, dhe këtë e konfirmoi edhe raporti i Entit Shtetëror për Auditim.

"Sot Enti Shtetëror për Auditim thotë se mjetet nga kredia hungareze janë të destinuara për rritjen e ekonomisë maqedonase, pjesërisht për shlyerjen e obligacionit euro që qeveria juaj e ka marrë, që është gjysmë miliardë, dhe pjesërisht për mbështetjen e biznesit maqedonas.", tha Mickoski.

"Pra, në këto 6 muaj nuk ka asnjë K të krimit, por konfirmim se kjo qeveri ka bërë një vepër të mirë për këtë shtet.", është i prerë Mickoski.

Lajme të ngjashme