Toshkovski nga SHBA: Teknologjitë dhe përvojat më të avancuara botërore në funksion të sigurisë më të madhe të qytetarëve në Maqedoni

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski qëndroi ditët e fundit në një vizitë pune në Florida, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë (IACP) në Orlando, një nga tubimet më të mëdha botërore të profesionistëve të policisë, e dedikuar për të ardhmen e punës policore dhe përballjen me sfidat moderne të sigurisë.
Në kuadër të konferencës, ministri Toshkovski zhvilloi disa takime të rëndësishme, përfshirë me Nicholas Colura, drejtor i Shërbimit Diplomatik të Sigurisë pranë Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si dhe me Rick Smith, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Axon, e cila zhvillon zgjidhje teknologjike moderne në fushën e sigurisë publike.
Gjatë takimit me Smith u diskutuan mundësitë që Maqedonia të bëhet një qendër rajonale demonstrimi për teknologjitë e Axon, ku përmes aplikimit praktik të zgjidhjeve moderne, përfshirë inteligjencën artificiale, do të prezantoheshin modele të reja të punës policore para institucioneve të rajonit. Kjo iniciativë do të kontribuonte në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe inovacioneve teknologjike.
Në ftesë të sherifit të rrethit Palm Beach, Rick Bradshaw, ministri Toshkovski mori pjesë edhe në Samitin Global të Inovacionit, ku u vu theksi në aplikimin praktik të inteligjencës artificiale, dronëve pa pilot dhe sistemeve anti-dron në mbrojtjen e hapësirave publike, infrastrukturës kritike dhe sigurisë së popullsisë.
Gjatë vizitës së punës, ministri vizitoi edhe Departamentin e Policisë në Miami, ku u njoh drejtpërdrejt me modelet moderne operative të policisë amerikane, përfshirë përdorimin e sistemeve të mbikëqyrjes me video, analizën e avancuar dhe përpunimin e informacionit në kohë reale. Këto zgjidhje mundësojnë njohjen në kohë të kërcënimeve të sigurisë, koordinim më të mirë të njësive policore dhe reagim më të shpejtë në rast incidentesh.
Ministri Toshkovski theksoi se shkëmbimi i përvojave me sistemet e zhvilluara policore është i rëndësishëm për modernizimin e mëtejshëm të policisë maqedonase dhe për futjen e zgjidhjeve konkrete teknologjike në punën e përditshme.
„Qëllimi ynë është që përvojat dhe teknologjitë moderne t’i shndërrojmë në zgjidhje praktike që do të mundësojnë ndihmë më të shpejtë për qytetarët në situata kritike, parandalim më efikas të krimit dhe mbrojtje më të madhe të jetës dhe pronës“, theksoi Toshkovski.
Vizita e punës në SHBA përfaqëson një mundësi për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, shkëmbimin e praktikave të mira dhe shqyrtimin e qasjeve të reja për përmirësimin teknologjik të kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qëllimi është i qartë – policia maqedonase të jetë një hap para krimit, më e shpejtë në reagim, më efikase në mbrojtje dhe më afër qytetarëve. Modernizimi nuk është vetëm investim në pajisje dhe teknologji të reja, por në një sistem që njohu në kohë kërcënimet, parandalon veprat penale dhe shpëton jetë njerëzore. Pikërisht në këtë drejtim Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e saj, me qëllim përfundimtar – polici më të fortë, siguri më të madhe dhe një shtet ku çdo qytetar do të ndihet i sigurt.



