Zaharova: Zelenski përpiqet të pengojë përpjekjet diplomatike të Rusisë dhe SHBA-së për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë

Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Marija Zaharova, sot e akuzoi presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski, se përpiqet të pengojë përpjekjet diplomatike të Rusisë dhe SHBA-së për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
"Në momentin kur pala ruse dhe ajo amerikane po bëjnë përpjekje diplomatike për rifillimin e konsultimeve për zgjidhjen e konfliktit ukrainas, Zelenski jo vetëm që vazhdon të përpiqet ta pengojë këtë proces, por publikisht vendos kushte të papranueshme paraprakisht, ndërsa njëkohësisht miraton sulme të reja terroriste dhe sulme ndaj popullsisë civile në vendin tonë", deklaroi Zaharova në një konferencë për shtyp, transmeton "Interfax".
Ajo pretendon se forcat e armatosura ukrainase gjatë pesë ditëve të fundit kanë sulmuar objekte banimi, institucione të mbrojtjes sociale, infrastrukturë komunale, si dhe objekte të industrisë petrokimike, naftës dhe gazit.
Zaharova e akuzoi Zelenskin edhe se dëshiron vazhdimin e konfliktit për të qëndruar në pushtet.



