BE kërkon një burim të ri gazi, po shqyrtohet mundësia e importit afatgjatë nga Kanadaja

Bashkimi Evropian dhe Kanadaja do të shqyrtojnë mundësinë e eksportit afatgjatë të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Evropë, në një periudhë kur Bashkimi po përballet me çmime të larta të gazit dhe rezervat rekordisht të ulëta. Kjo është përmendur në draftin e deklaratës së përbashkët për samitin BE – Kanada, i cili do të mbahet më 29 dhe 30 tetor në Montreal, shkruan "Euronews".
Të dyja palët planifikojnë të porosisin një studim për realizueshmërinë e eksportit të LNG-së, si dhe të forcojnë bashkëpunimin në zhvillimin e rrjeteve elektrike, ruajtjen e energjisë në bateri dhe mbrojtjen e infrastrukturës energjetike.
"Ne do të vlerësojmë mundësitë për lidhje energjetike afatgjatë, investime dhe kontrata blerjeje që do të kontribuojnë në sigurinë energjetike evropiane dhe zhvillimin ekonomik kanadez, ndërkohë që do të mbështesin qëllimet tona të përbashkëta klimatike", thuhet në draft-dokument.
Me këtë iniciativë, Brukseli synon të diversifikojë burimet e energjisë dhe të ulë varësinë nga furnizuesit ekzistues. Pas pushtimit rus të Ukrainës, SHBA-ja u bë furnizuesi më i madh i BE-së me gaz natyror të lëngshëm, duke zëvendësuar një pjesë të madhe të importit të mëparshëm nga Rusia. Probleme shtesë shkaktojnë edhe ndërprerjet në prodhimin dhe transportin e gazit nga Katari.
Sidoqoftë, draft-dokumenti nuk specifikon se sa sasi gazi mund të furnizojë Kanadaja, me çfarë çmimi dhe çfarë infrastrukture do të ishte e nevojshme.
Kryeministri kanadez Mark Carney mbështet planet për rritjen e kapaciteteve të eksportit të gazit natyror të lëngshëm. Ai është i gatshëm të mbështesë edhe eksportin nga provinca New Brunswick, me kusht që të hiqet ndalimi i frakturimit hidraulik dhe të fillojë prodhimi vendas.
Organizatave mjedisore, nga ana tjetër, paralajmërojnë se ndërtimi i terminaleve dhe gazsjellësve të rinj mund të vazhdojë varësinë nga karburantet fosile dhe të ngadalësojë investimet në burime të rinovueshme të energjisë.
Esther Bolendorf nga organizata "Climate Action Network Europe" mendon se Kanadaja nuk duhet të bëhet furnizues i ri i gazit për BE-në, por partner në zhvillimin e energjisë të përballueshme dhe të qëndrueshme. Sipas saj, studimi i propozuar përbën një shpërqendrim të rrezikshëm nga elektrifikimi dhe efikasiteti energjetik.



