SHBA vendosën sanksione të reja kundër Koresë së Veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën një paketë të re sanksionesh kundër Koresë së Veriut, të drejtuara ndaj dhjetë individëve dhe një kompanie, njoftoi Ministria amerikane e Financave, transmeton Reuters.
Në listën e sanksionuarve është kompania First Financial and Technical Development Center, me të cilën lidhen gjashtë persona nga lista, përfshirë dy shtetas rusë. Personat e tjerë të sanksionuar janë shtetas të Koresë së Veriut.
Sanksionet e reja vijnë në një periudhë kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump përpiqet të rifillojë negociatat me Phenianin, por Koreja e Veriut nuk tregon interes për bisedime për kufizimin e programit të saj bërthamor.
Trump më parë këtë muaj e uli rëndësinë e mundësisë për një takim të ri me liderin verikorean Kim Jong Un, i cili pritej të mbahej muajin e ardhshëm në Kinë.
Presidenti amerikan u takua me Kim në vitet 2018 dhe 2019, por negociatat nuk sollën marrëveshje, pasi Uashingtoni insistoi që Koreja e Veriut të heqë dorë plotësisht nga armët bërthamore.
Edhe pse Trump disa herë e quajti Korenë e Veriut "fuqi bërthamore", administrata e tij vazhdon të insistojë në denuklearizim dhe zyrtarisht nuk e njeh Phenianin si shtet me armatim bërthamor.



