Udhëheqësi i Koresë së Veriut urdhëroi stërvitje ushtarake më intensive: „Përgatitja për luftë është detyra kryesore“

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, i bëri thirrje komandantëve të skuadrave që të intensifikojnë stërvitjen dhe të përmirësojnë gatishmërinë luftarake, duke e cilësuar këtë si "detyrën e tyre kryesore revolucionare", njoftuan sot mediat shtetërore.
"Detyra kryesore revolucionare e komandantëve të skuadrave është të përfundojnë përgatitjet luftarake të njësive të tyre për t'u bërë plotësisht të gatshëm për të zhvilluar luftë, dhe mënyra për ta arritur këtë është përmirësimi rrënjësor i stërvitjes së lodhshme dhe intensive", citoi fjalët e tij agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut "KCNA", duke shtuar se ai e tha këtë gjatë një seance fotografike me pjesëmarrësit e Takimit të Tretë të Komandantëve të Skuadrave të Ushtrisë Popullore të Koresë.
Sipas raportit, Kim Jong-un theksoi se ata duhet të provojnë besnikërinë dhe aftësitë e tyre udhëheqëse duke arritur t'i kthejnë njësitë e tyre në "forca ku një ushtar vlen sa njëqind të tjerë, dhe që karakterizohen nga besimi i fortë revolucionar, fryma patriotike, guximi heroik i papërshkrueshëm dhe efikasiteti luftarak".
Ai shtoi se e ardhmja e ndërtimit të një ushtrie të fortë duket "jashtëzakonisht premtuese falë tyre".
Kim udhëhoqi një takim të mbajtur më 22 dhe 23 tetor në Phenian, ku u tha komandantëve "të ndërtojnë ushtrinë më të fortë dhe të përshpejtojnë revolucionin ushtarak në stil korean përmes stërvitjes së skuadrave më të forta".
Ai gjithashtu u urdhëroi atyre "të ruajnë dhe zhvillojnë në mënyrë të qëndrueshme thelbin e ushtrisë si ushtri e Partisë, ushtri e ideologjisë dhe vlerave kyçe".



