(Video) Sulm ukrainas me dronë ndaj Rusisë, dy të vdekur dhe 17 të plagosur, goditet edhe tren pasagjerësh

Të paktën dy persona kanë vdekur dhe 17 janë plagosur në një sulm me dronë ukrainas ndaj rajonit rus të Voronezhit. Në sulm kanë shpërthyer zjarre në disa ndërtesa, ndërsa mbeturinat e avionëve të rrëzuar kanë goditur një tren pasagjerësh, shkruan "Euronews".
Pamjet nga rrjetet sociale ruse tregojnë flakë që dalin nga blloqet e banimit dhe nga qendra e biznesit 25-katëshe "Galeria Chizhov", ndërsa tym i dendur i zi ngrihet mbi lagjet përreth.
Në video të tjera shihen shtëpi private të djegura, një ndërtesë biznesi e dëmtuar dhe objekte banimi me dritare të thyer. Në një parking digjen të paktën dhjetë makina.
Banorët kanë kërkuar në rrënoja, ku kanë gjetur pjesë të motorëve të dronëve.
Guvernatori Aleksandër Gusev deklaroi se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 113 dronë mbi rajon, prej të cilëve më shumë se 70 mbi qytetin vetë.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se në territorin e tërë vendit janë rrëzuar gjithsej 290 mjete fluturuese pa pilot.
Mbetjet e dronëve kanë shkaktuar zjarre edhe në disa kapacitete industriale, dhe burimet lokale përmendin fabrikën e gomës "Voronezhsintezkauchuk" dhe fabrikën e avionëve VASO.
Janë dëmtuar gjithashtu dy zona pushimi, një fushë sportive shkollore, një bashkësi garazhesh dhe një ndërtesë banimi.
Nga centrali bërthamor Novovoronezh njoftuan se objekti po funksionon normalisht.
Shumica e të plagosurve ndodheshin në trenin në linjën Anapa – Moskë kur mbeturinat e dronëve ranë pranë stacionit hekurudhor Somovo, njoftuan Hekurudhat Ruse.
Sipas tyre, janë plagosur pesë pasagjerë, prej të cilëve dy rëndë. Trafiku hekurudhor nëpër qytet është ndërprerë përkohësisht.
Gusev konfirmoi se në sulmet kanë humbur jetën gjithsej tre persona.
Kievi nuk ka reaguar për këto ngjarje.
Vëzhguesit e pavarur nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse shpërthimet pranë ndërtesave banimi ishin pasojë e goditjeve të drejtpërdrejta apo e rënies së mbetjeve të dronëve të rrëzuar, dhe raporti i guvernatorit nuk e sqaron këtë dallim.
Tre ditë më parë, në një sulm ndaj Voronezhit ishte goditur aerodromi ushtarak "Baltimore".



