Miteva: Sinjale pozitive ekonomike nga Banka Botërore – Maqedonia shënon rritjen më të lartë ekonomike në rajon

Banka Botërore parashikon që ekonomia maqedonase këtë vit të regjistrojë një rritje prej 3.2 përqind, që përbën një rritje prej 0.3 pikë përqindjeje në krahasim me parashikimet e mëparshme, theksoi zëdhënësja e qeverisë Maria Miteva duke iu referuar raporteve më të fundit të Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian.
„Do të filloj me raportin më të fundit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, i publikuar dje, më 27 tetor, në të cilin është bërë një rishikim në rritje i parashikimit për rritjen ekonomike të Maqedonisë në vitin 2026.
Sipas këtij raporti, Banka Botërore parashikon që ekonomia maqedonase këtë vit të regjistrojë një rritje prej 3.2 përqind, që përbën një rritje prej 0.3 pikë përqindjeje në krahasim me parashikimet e mëparshme“.
Është veçanërisht e rëndësishme, shtoi Miteva, që kjo vlerësim vjen në një periudhë sfidash serioze globale ekonomike, pasigurie gjeopolitike, presione çmimesh, por edhe energjetike, si dhe aktivitet ekonomik të ngadalësuar te disa nga partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë.
Për Maqedoninë, vlerësoi ajo, kjo përbën një vlerësim të rëndësishëm për lëvizjet ekonomike deri më tani, por edhe një drejtim të qartë për politikat që duhet të vazhdojnë në periudhën e ardhshme.
Sipas Mitevës, vlerësimet e Bankës Botërore plotësohen nga të dhënat e raportit më të fundit ekonomik të Komisionit Evropian, të publikuar më 20 tetor, i cili tregon se Maqedonia në tremujorin e dytë të vitit 2026 ka regjistruar një rritje ekonomike prej 4.3 përqind, që përbën normën më të lartë të rritjes mes gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Për krahasim, siç tha ajo, rritja mesatare ekonomike në rajon është 3.6 përqind. „Për më tepër, ekonomia maqedonase shënon përshpejtim të kësaj rritjeje, nga 3.1 përqind në tremujorin e parë në 4.3 përqind në tremujorin e dytë të këtij viti.
Këto të dhëna marrin rëndësi shtesë kur shikohet struktura e rritjes.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, ndërtimtaria në tremujorin e dytë shënon një rritje reale prej 21.9 përqind, industria përpunuese 4.1 përqind, ndërsa sektori i informacionit dhe komunikimit 4.3 përqind.
Njëkohësisht, investimet bruto shënojnë rritje nominale, ndërsa konsumimi final është rritur nominalisht për 7 përqind“.
Kjo, sipas Mitevës, janë tregues konkretë ekonomikë që flasin për një aktivitet të shtuar në disa sektorë të rëndësishëm. Veçanërisht e rëndësishme, sipas saj, është rritja e ndërtimtarisë, si sektor që ndikon drejtpërdrejt dhe tërthorazi në një numër të madh aktivitetesh të tjera ekonomike, kompanitë vendase, transportin, prodhimin, por edhe zhvillimin e infrastrukturës.
„Jemi të vetëdijshëm që treguesit pozitivë ekonomikë vetë nuk do të thonë se të gjitha sfidat ekonomike janë kapërcyer. Nuk presim që qytetarët të matin standardin e tyre të jetesës vetëm sipas të dhënave statistikore. Ata e vlerësojnë përparimin përmes të ardhurave të tyre, mundësive për punë, çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Dhe kjo është plotësisht e kuptueshme.
Prandaj, këto rezultate i paraqesim si një bazë të rëndësishme për zhvillim të mëtejshëm ekonomik. Ato tregojnë se ekonomia maqedonase po rritet, se ekziston aktivitet ekonomik dhe se, pavarësisht kushteve të ndërlikuara të jashtme, po krijohet një bazë për përmirësim të mëtejshëm të standardit të jetesës“.
Në këtë drejtim, qeveria, theksoi Miteva, mbetet e përkushtuar ndaj politikave që do të sigurojnë stabilitet afatgjatë ekonomik, ekonomi konkurruese dhe kushte më të mira jetese.
„Kur Banka Botërore rishikon parashikimin për rritjen ekonomike të Maqedonisë, dhe Komisioni Evropian konfirmon se në tremujorin e dytë ne kemi normën më të lartë të rritjes në Ballkanin Perëndimor, këto janë vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare për lëvizjet ekonomike në Maqedoni. Ato përbëjnë bazë për vlerësimin e rezultateve të aktivitetit ekonomik dhe për përmirësimin e mëtejshëm të politikave ekonomike.
Është përgjegjësi e qeverisë të mbajë trendin pozitiv të zhvillimit, të sigurojë stabilitetin e financave publike dhe të vazhdojë me reformat që do të mundësojnë që rezultatet e rritjes ekonomike të kenë ndikim gjithnjë e më të madh në jetën e qytetarëve“.



