Ministri Klekovski në Komitetin Rajonal të OBSH-së në Kopenhagen: Parandalimi dhe shëndeti digjital janë ndër prioritetet maqedonase

Ministri i Shëndetësisë, Sašo Klekovski, merr pjesë në seancën e 76-të të Komitetit Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën në Kopenhagen. Në seancë, ministrat e shëndetësisë nga vendet e rajonit evropian shqyrtuan disa raporte dhe propozime për punën e ardhshme të OBSH-së. Programet e tyre i prezantuan edhe gjashtë kandidatët për drejtor të përgjithshëm të ri të organizatës.
Në fjalimin e tij, ministri Klekovski theksoi se sfidat me të cilat përballet vendi ynë janë të përbashkëta për gjithë rajonin. Këto janë ndryshimet demografike, plakja e popullsisë, rritja e barrës së sëmundjeve jo ngjitëse dhe largimi i personelit shëndetësor.
"Investimi në shëndetësi është investim në zhvillimin ekonomik dhe social. Prandaj, transformimi digjital është një nga prioritetet tona më të rëndësishme kombëtare. Ne duam një sistem shëndetësor më të lidhur, më efikas dhe më transparent", deklaroi ministri Klekovski.
Ai theksoi se po aq e rëndësishme është fuqizimi i kujdesit shëndetësor parësor, me theks në parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve jo ngjitëse, përfshirë edhe sëmundjet kancerogjene. Në fushën e parandalimit, Ministria forcon ndalimin e duhanit dhe po përgatit masa për pijet e ëmbëlsuara. Ministri përmendi edhe prioritetet e tjera: qasje më e mirë në barna, mbrojtje financiare për pacientët, modernizim i legjislacionit dhe financim i qëndrueshëm i shëndetësisë.
Ministri Klekovski falënderoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë, veçanërisht Zyrën e OBSH-së në Shkup, për mbështetjen teknike të vazhdueshme dhe partneritetin në reformat e sistemit shëndetësor.



