Levica: Fondet grumbullojnë apartamente, ndërsa qytetarët mbeten borxh deri në pension për një të vetëm

Ndërsa qytetet evropiane si Zagrebi dhe Berlini vendosin taksa të larta për pronat që nuk përdoren për banim dhe ndërmarrin hapa për rikthimin e fondit të madh të banesave në pronësi publike, Qeveria e VMRO-DPMNE-së me qasjen e saj liberale u hap derën fondeve investuese për të grumbulluar apartamente dhe për të fituar miliona. Ndërsa kapitali i madh blen qindra apartamente si investim, qytetarët mbeten të ngujuar në kredi afatgjata për të siguruar një shtëpi të vetme, thonë nga Levica përmes një njoftimi për shtyp.
"Grupi investues danez „Vækstkapital“ ka blerë 250 apartamente në ndërtim në Shkup, me qëllimin e shpallur që numri të arrijë të paktën 1.000. Duke supozuar 50 metra katrorë për apartament dhe çmim prej 2.000 euro për metër katror, kjo do të thotë një portofol me vlerë rreth 100 milionë euro. Ndërsa një fond mund të akumulojë mijëra apartamente, mijëra familje nuk mund të sigurojnë asnjë.
Për një familje, pesëdhjetë metra katrorë janë shtëpi, siguri dhe dekada shlyerje kredie. Për një fond investues, ato janë vetëm një numër në portofol. Kjo nuk ngjan me një treg normal, por me një sistem ku shteti mbron kapitalin që grumbullon pasuri, ndërsa qytetarët i lë vetëm përballë kredive të shtrenjta dhe qirave të paarritshme.
Nevojiten masa urgjente dhe konkrete: banim publik dhe i aksesueshëm, taksë progresive mbi portofolët e mëdhenj dhe apartamentet e zbrazëta, kufizim i blerjeve spekulative, rregulla për qiradhënie afatshkurtra dhe transparencë e plotë për përqendrimin e pronësisë së banesave.
Sa mijëra apartamente duhet të mblidhen në duart e pakicës që VMRO-DPMNE-ja të kuptojë më në fund se qytetarët nuk kërkojnë luks, por një strehë mbi kokë? Banimi është një të drejtë themelore, dhe pushteti që e kthen atë në privilegj për të pasurit duhet të japë llogari", thuhet në njoftimin partiak.



