E martë, 27 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ministri gjerman i mbrojtjes bëri thirrje për ndërtimin e një Europe më të fortë brenda një NATO-je më të fortë

Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius dhe kolegët e tij nga Franca, Italia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar i bënë thirrje vendeve evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të ndërtojnë "një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë", duke vlerësuar se Rusia përbën kërcënimin më të madh të menjëhershëm dhe afatgjatë për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik.

Në një tekst të përbashkët autorësh, botuar nga "Tagesspiegel", pesë ministrat e mbrojtjes theksuan se janë të bindur se vendet evropiane duhet të bëjnë më shumë për të forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse.

Megjithatë, ministrat theksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten "aleati i domosdoshëm".

Mesazhi i tyre vjen në një kohë kur në Evropë rritet shqetësimi për angazhimin e presidentit amerikan Donald Trump ndaj NATO-s. Trump më parë kërcënoi se do të tërhiqte SHBA-në nga Aleanca, dhe gjithashtu njoftoi marrjen e kontrollit mbi Grenlandën, territorin autonom të Danimarkës, e cila është anëtare e NATO-s.

Uashingtoni vazhdimisht i bën thirrje vendeve anëtare evropiane të Aleancës që të rrisin shpenzimet për mbrojtje dhe të kontribuojnë më shumë për kapacitetet e përbashkëta ushtarake, transmeton Tanjug.

Në një tekst të përbashkët, ministrat ripërsëritën mbështetjen e tyre politike, ushtarake dhe financiare për Ukrainën në mbrojtje nga pushtimi rus, në një kohë kur është vënë në pikëpyetje shtrirja e ndihmës së ardhshme amerikane për Kievin.

Lajme të ngjashme