(Video) Qeveria formon Komitetin Kombëtar për mbrojtjen e gazetarëve

Qeveria në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për formimin e Komitetit Kombëtar për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, i cili do të ketë detyrë të ndjekë gjendjen e sigurisë së punonjësve të mediave dhe të përgatisë Planin Kombëtar të Veprimit së voni deri më 15 dhjetor 2026, njoftoi zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva.
Sipas Mitevës, me këtë vendim krijohet një mekanizëm koordinimi mes institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe organizatave mediatike, me qëllim parandalimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e pandërprerë të punës së tyre.
"Siguria e gazetarëve nuk duhet të jetë temë vetëm nëse ndodh një incident, detyra e institucioneve është të veprojnë në kohë, të njohin rreziqet dhe të sigurojnë mbrojtje të përshtatshme", deklaroi Miteva.
Plani Kombëtar i Veprimit do të përfshijë katër fusha: parandalimi, mbrojtja, ndjekja efektive e autorëve dhe promovimi dhe edukimi.
Në pjesën e parandalimit, theksi do të vihet në pluralizmin mediatik dhe dialogun me mediat, ndërsa mbrojtja do të përfshijë mekanizma për reagim të menjëhershëm, mbështetje policore dhe ligjore, përfshirë edhe mbrojtjen nga kërcënimet në hapësirën digjitale.
Plani do të parashikojë edhe bashkëpunim më të mirë me organet përgjegjëse për hetime në kohë dhe ndëshkimin e autorëve të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, si dhe trajnime dhe aktivitete për rritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e profesionit të gazetarëve.
Në Komitet është parashikuar të marrin pjesë përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Transformimit Digjital, Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, Radio Televizioni i Maqedonisë dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.
Komiteti do të mbështesë edhe zbatimin kombëtar të fushatës "Gazetarët janë të rëndësishëm" të Këshillit të Evropës.
Miteva theksoi se mbrojtja institucionale duhet të jetë e barabartë për të gjithë gazetarët, pa selektivitet, dhe nënvizoi se pushteti ka të drejtë të përgjigjet ndaj kritikave, por duhet ta bëjë këtë me fakte dhe transparencë, jo me presione.
"Ju keni të drejtë të pyesni, ne kemi detyrë të përgjigjemi. Ju keni të drejtë të rishikoni punën e institucioneve, ne kemi detyrë ta arsyetojmë atë", iu drejtua Miteva gazetarëve.




