E enjte, 22 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

MDT: Faqet e internetit të Qeverisë dhe ministrive u mbrojtën në kohë nga dobësitë kritike në PHP

22.10.2026, 12:48

Faqet e internetit të Qeverisë dhe ministrive u mbrojtën në kohë duke marrë masa parandaluese dhe teknike, pas publikimit të informacionit për dobësitë kritike të sigurisë në gjuhën programuese PHP, të cilat shkaktuan ndërprerje të përkohshme të shumë faqeve qeveritare në Evropë dhe në botë, njofton Ministria për Transformim Dixhital

"Në kuadër të aktiviteteve parandaluese, u bllokua përkohësisht trafiku i jashtëm në internet drejt sistemeve të prekura, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive. Më pas u kryen kontrolle të versioneve të softuerit, u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme të sigurisë dhe u verifikuan funksionaliteti dhe siguria e shërbimeve në internet", thonë nga Ministria.

Atje sqarojnë se masat e marra janë të fokusuar në uljen e rrezikut nga qasja e paautorizuar, ekzekutimi i kodit keqdashës dhe komprometimi potencial i serverëve të internetit.

Sipas kontrolleve deri tani, Ministria thekson se nuk janë konstatuar indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të përmendura ose për komprometim të faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive.

Njoftimi vjen pasi u publikua se ekzistojnë dy dobësi serioze të sigurisë në gjuhën programuese PHP, që përdoret nga shumë faqe interneti dhe aplikacione, dhe që mund t'u mundësojnë hakerëve të marrin kontroll mbi serverët, pa nevojën për hyrje në sistem.

CERT Kombëtar lëshoi një paralajmërim për këtë rrezik, duke bërë apel tek administratorët që të instalojnë sa më shpejt përditësimet e sigurisë. Për shkak të këtyre dobësive të zbuluara, faqet e internetit të institucioneve qeveritare në disa vende evropiane janë ndërprerë përkohësisht.

PHP është një gjuhë programuese që shërben si bazë për shumë faqe interneti, dyqane online dhe aplikacione biznesi. Ajo përdoret gjithashtu në sistemet e institucioneve publike dhe kompanive private.

Këto dobësi të reja të zbuluara janë veçanërisht të rrezikshme sepse sulmuesi mund të dërgojë një kërkesë të krijuar posaçërisht në faqen e internetit, duke ekzekutuar kodin e vet në server, dhe të gjitha këto pa nevojën për emër përdoruesi ose fjalëkalim.

Një sulm i suksesshëm mund të çojë në vjedhjen e të dhënave, ndryshimin e përmbajtjes së faqes së internetit ose instalimin e softuerit keqdashës.

Problemet përfshijnë dy dobësi, të identifikuara si CVE-2026-109618 dhe CVE-2026-109619. Për të dyja është dhënë një vlerësim serioziteti prej 9.2 nga 10 të mundshme.

Këto dobësi rrjedhin nga gabime në menaxhimin e memories, të cilat ndodhin gjatë përpunimit të kërkesave në internet.

Serverët që përdorin PHP si pjesë të sistemit të tyre për përpunimin e kërkesave nga vizitorët e faqeve të internetit janë të ekspozuar ndaj një rreziku të veçantë. Ekspertët paralajmërojnë se për shfrytëzimin e dobësisë, në konfigurime të caktuara, nuk kërkohet asnjë autentikim paraprak. Sulmuesi mund të përpiqet ta shfrytëzojë dobësinë edhe para se aplikacioni të fillojë ekzekutimin e kodit të vet programuese.

Dje, më 21 tetor, ekipi i zhvillimit të PHP publikoi përditësime sigurie që zgjidhin dobësitë e zbuluara. Versionet e sigurisë janë PHP 8.5.12, 8.4.27, 8.3.36 dhe 8.2.35.

Të gjitha versionet më të vjetra brenda këtyre degëve zhvillimore duhet të përditësohen. Një shqetësim i veçantë paraqesin versionet edhe më të vjetra të PHP, të cilat nuk mbështeten më zyrtarisht dhe për të cilat nuk publikohen më përditësime të rregullta sigurie.

Ekipi i zhvillimit thekson se përditësimi është zgjidhja e vetme e plotë për dobësitë e identifikuara.

CERT Kombëtar rekomandon që kompanitë dhe institucionet të identifikojnë se cilët nga sistemet e tyre përdorin PHP dhe t'i përditësojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Prioritet duhet t'u jepet serverëve që mund të aksesohen drejtpërdrejt nga interneti, pasi ata janë më të ekspozuar ndaj sulmeve potenciale.

Nëse përditësimi nuk mund të bëhet menjëherë, rekomandohet të kufizohet përkohësisht qasja në sistemet e dobëta ose, bazuar në vlerësimin e rrezikut, ato të shkëputen nga interneti.

Administratorët gjithashtu duhet të kontrollojnë nëse aplikacionet e tyre përdorin versione të vjetra të PHP për të cilat nuk janë më në dispozicion përditësime sigurie.

Çfarë nëse serveri është tashmë komprometuar?

Nëse ka dyshime se sulmuesi ka shfrytëzuar tashmë ndonjë dobësi, CERT rekomandon izolimin e serverit të prekur nga rrjeti. Është e rëndësishme të ruhen regjistrat sistemorë (log-et) dhe të kontrollohen për skedarë të panjohur ose të shtuar së fundmi, programe të pazakonta dhe ndryshime të tjera që mund të tregojnë për qasje të paautorizuar.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA), CERT-EU dhe Europol gjithashtu i kanë bërë thirrje organizatave që menjëherë të kontrollojnë sistemet e tyre dhe të aplikojnë përditësimet e disponueshme të sigurisë.

Lajme të ngjashme