Maska i kërkoi Trumpit të kufizojë Starshield, duke dobësuar mbrojtjen ukrainase ndaj dronëve

Miliarderi dhe sipërmarrësi teknologjik Elon Musk i ka propozuar presidentit amerikan Donald Trump që të vendosen kufizime në shpejtësinë e sistemit Starshield, gjë që ka çuar në vështirësimin e mbrojtjes ukrainase ndaj dronëve, raportoi britaniku "Telegraph", duke u thirrur në katër burime të njohura me bisedimet.
Sipas njërit nga burimet, Trump ka rënë dakord me propozimin e Musk, duke i hapur kështu rrugën Pentagonit për të ngadalësuar funksionimin e Starshield, versionin ushtarak të sistemit satelitor të komunikimit Starlink të kompanisë SpaceX.
Starshield i mundëson ushtrisë ukrainase të mbajë komunikim në front dhe të kryejë operacione me dronë.
Më parë, një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky kishte deklaruar se SpaceX ka kufizuar aksesin në sistemin që Kievi e përdor për të kapur dronë me motor me reaktiv dhe për sulme pas vijave armike.
Musk të mërkurën mohoi se është përgjegjës për kufizimin e aksesit në Starlink, duke akuzuar Shtëpinë e Bardhë për vendimin. Ai tha se për të gjitha "kufizimet e shpejtësisë ose përdorimit" kanë vendosur ushtria amerikane dhe, në fund, presidenti i SHBA-së.
Trump, nga ana tjetër, të premten deklaroi se SHBA nuk kanë vendosur asnjë kufizim për aksesin e Ukrainës në Starshield. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para Shtëpisë së Bardhë, ai tha se as ai dhe as Musk nuk janë përgjegjës për humbjen e aksesit në sistem nga ana e Ukrainës.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe një perëndimor të njohur me rastin, të cilët folën për Reuters, urdhri për kufizimin e sistemit satelitor Starshield, që përdor ushtria ukrainase, ka ardhur nga Shtëpia e Bardhë.
Burimet thonë se drejtuesit e Departamentit amerikan të Mbrojtjes kanë marrë mesazh se duhet të kufizohet funksionimi i shërbimit Starshield të SpaceX që përdor ushtria ukrainase.
Sidoqoftë, nuk është saktësuar se kush në Shtëpinë e Bardhë ka marrë vendimin, as kush ishte përgjegjës për zbatimin e tij.


