E diel, 18 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Një demonstrues ka vdekur në protestat në Paris

18.10.2026, 12:15

Një demonstrues ka vdekur gjatë protestave në Paris, pasi i është përkeqësuar gjendja në bulevardin Magenta, ku po lëvizte kolona, njoftoi policia franceze.

Demonstrues të tjerë e kanë dërguar atë në qendrën mjekësore "Château d'Eau", ku ka ndërruar jetë para hyrjes, transmeton BFMTV. Prefektura e policisë së Parisit njoftoi se vdekja ka ndodhur si pasojë e një ndalimi kardiopulmonar.

Ndërkohë, prefektura e Parisit njoftoi se në kryeqytetin e Francës janë arrestuar 855 persona, që përbën një numër rekord.

Zjarr në bashkinë e Limoges

Në Limoges, prefekti i departamentit Vienne e Lartë, Maurice Barate, njoftoi se zjarri në bashki është lokalizuar.

"Zjarri është ndezur qëllimisht", deklaroi Barate, duke dënuar incidentin dhe grupin që shkaktoi zjarrin dhe dëmtuan rëndë ndërtesën komunale të shekullit të 19-të.

Gjatë demonstratave në Limoges janë arrestuar 17 persona, përfshirë shtatë të mitur, njoftoi prokuroria komunale për BFMTV.
Është hapur hetim për "shkatërrim prone me mjete të rrezikshme në grup të organizuar".

"Disa qytetarë gjithashtu janë sulmuar në margjinat e tubimeve. Regjistrimi i viktimave do të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur", njoftoi prokuroria.

Rreth 550,000 demonstrues në të gjithë Francën

Dhuna shpërtheu në të gjithë Francën të shtunën, gjatë valës së fundit të demonstratave kundër kushteve të këqija në shkolla dhe kostove të larta të jetesës.

Qeveria franceze njoftoi se ka pasur "eskalim të dhunës", duke vlerësuar se rreth 550,000 njerëz dolën në rrugët e qyteteve franceze.

Në Lyon janë arrestuar 160 persona, 100 policë janë plagosur

Prefekti i departamentit Rhône, Étienne Guyot, në një konferencë për shtyp deklaroi se gjatë demonstratave në Lyon janë arrestuar 160 persona, prej të cilëve 124 të rritur.

"Edhe pse nuk ka viktima, kjo është e papranueshme", deklaroi Guyot, duke konfirmuar se në përleshjet me demonstruesit janë plagosur 100 policë, transmeton BFMTV.

Kryetari i bashkisë së Lyonit, Grégory Doucet, paralajmëroi se nga dhuna gjatë protestave duhet nxjerrë mësime.

"Kur shoh se si është djegur dhe sulmuar kjo organizatë turistike, kur shoh tregtarë që disa prej tyre kanë humbur gjithçka, më mbushin emocionet. E kuptoj zemërimin, e kuptoj frikën, sepse edhe unë e ndjej të njëjtën gjë. Kaosi në qytet është i tmerrshëm. Do të duhet të nxjerrim mësime nga e gjithë kjo", deklaroi Doucet.

Gjatë demonstratave në Lille, në departamentin Nord, në rajonin Hauts-de-France në veri të Francës, janë arrestuar 69 persona, prej të cilëve 56 janë mbajtur në paraburgim.

Prokuroria ka lejuar përdorimin e pamjeve nga kamerat e mbikëqyrjes dhe dronëve për të identifikuar pjesëmarrësit e mundshëm në trazira.

Lajme të ngjashme