E diel, 18 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Zelenski: Rusia ka sulmuar 76 herë sektorin energjetik ukrainas që nga shpallja e armëpushimit nga Trump

18.10.2026, 12:30

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski njoftoi se Rusia ka sulmuar qëllimisht sektorin energjetik ukrainas 76 herë që nga kur presidenti amerikan Donald Trump një javë më parë shpalli armëpushim energjetik.

"Vetëm natën e kaluar u regjistruan sulme ndaj nënstacioneve në rajonet Vinica, Zhytomyr, Khmelnytsky dhe Odessa. Dhjetëra mijëra familje vazhdojnë të jenë pa energji elektrike. Punonjësit e sektorit energjetik dhe ekipet e riparimit punojnë praktikisht 24 orë në ditë për të rikthyer furnizimin me energji elektrike", njoftoi Zelenski në profilin e tij në rrjetin social X.

Ai konfirmoi se forcat ruse gjatë natës së kaluar goditën edhe objekte banimi në disa rajone ukrainase.

Sipas të dhënave të publikuara nga presidenti ukrainas, në sulme u plagosën 12 persona, përfshirë dy fëmijë, ndërsa dy persona humbën jetën.

"Shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe të afërmit e tyre", tha Zelenski.

Ai theksoi se forcat ruse gjatë javës së kaluar sulmuan Ukrainën me pothuajse 2,700 dronë sulmues, 1,700 bomba ajrore dhe 66 raketa, shumica prej të cilave ishin balistike. Si objektiva kryesore të sulmeve ai përmendi objektet energjetike.

"Rusët përpiqen të shkaktojnë ndërprerje totale të furnizimit me energji elektrike. SHBA duhet të kuptojnë se Rusia nuk po merr asnjë masë reciproke si përgjigje ndaj lehtësimit të sanksioneve apo marrëveshjeve. Përkundrazi, çdo sinjal për mundësi fitimi e interpretojnë si dëshmi se vendosmëria e tyre për luftë po shpërblehet dhe se mund të vazhdojnë të luftojnë. Rusia duhet të përballet me presion që paqja të ketë një shans", u shpreh presidenti ukrainas.

Lajme të ngjashme