E diel, 18 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Pezeshkian: Irani kurrë nuk do të dorëzohet para kërkesave të ekzagjeruara të SHBA-së

18.10.2026, 11:30

Kryetari iranian Masud Pezeshkian deklaroi se Teherani kurrë nuk do të dorëzohet para, siç i quajti, kërkesave të ekzagjeruara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se do të vazhdojë të kundërshtojë presionin amerikan.

Pezeshkian e tha këtë gjatë një takimi virtual të dedikuar shqyrtimit të kandidaturës së Mehrdad Ahlagi Ketabchi për ministër të ri të mbrojtjes së Iranit, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve ISNA.

Kryetari iranian i bëri nderime ministrit të mëparshëm të mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, i cili humbi jetën në sulmet amerikano-izraelite në shkurt të këtij viti.

Ai vlerësoi se forcat e armatosura iraniane, me përkushtimin dhe aftësinë e tyre për t'u kundërvënë sulmeve amerikano-izraelite, kanë mahnitur botën.

Pezeshkian theksoi se Irani tani, më shumë se kurrë, ka nevojë për kuadro të kualifikuara dhe anëtarë të përkushtuar të forcave të armatosura.

Ai përsëriti se Teherani nuk ka qëllim të sulmojë asnjë vend, duke pretenduar se Irani nuk e ka bërë këtë as në dy shekujt e fundit.

Duke folur për kandidaturën e Ketabchit, Pezeshkian shprehu kënaqësi për punën e tij deri tani si ushtrues detyre ministër i mbrojtjes dhe i bëri thirrje deputetëve në parlamentin iranian që ta mbështesin zgjedhjen e tij.

Ketabchi është një funksionar me përvojë në industrinë iraniane të mbrojtjes. Në fillim të tetorit, Pezeshkian e propozoi atë për ministër të ri të mbrojtjes.

Më parë, Ketabchi ka drejtuar Organizatën Iraniane të Industrisë së Aviacionit dhe ka mbajtur pozicione të larta në sektorin e zhvillimit të armatimeve me raketa.

SHBA-ja dhe Kombet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj tij për shkak të aktiviteteve të lidhura me programin iranian të raketave.

Ketabchi do të marrë zyrtarisht detyrën e ministrit të mbrojtjes nëse emërimi i tij konfirmohet nga parlamenti iranian.

Lajme të ngjashme