E mërkurë, 28 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Andonovski: m.Uslugi është fillimi i një marrëdhënie të re mes qytetarit dhe shtetit – shërbimet publike dhe dokumentet drejtpërdrejt në telefonin mobil

Ministria për transformim digjital sot zyrtarisht lansoi aplikacionin mobil m.Uslugi, qasjen e re mobile në shërbimet publike digjitale dhe dokumentet elektronike të qytetarëve.

Në ngjarjen në Filharmoninë e Maqedonisë, në praninë e kryeministrit, Hristijan Mickoski, përfaqësuesve të institucioneve, Bashkimit Evropian, korit diplomatik, komunitetit akademik dhe biznesit dhe mediave, ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, prezantoi aplikacionin dhe demonstroi drejtpërdrejt funksionalitetet e tij të para.

"Kur filluam me transformimin digjital, qëllimi nuk ishte të krijonim më shumë aplikacione, portale dhe regjistra. Pyetja ishte shumë më e thjeshtë – si ta bëjmë shtetin më të aksesueshëm për qytetarët. Për shumë njerëz, shteti ka qenë shumë gjatë një sportel, orar pune, dokument që mungon dhe të dhëna që shteti tashmë i ka, por përsëri kërkon nga qytetari t’ia sjellë. Me m.Uslugi fillojmë të ndryshojmë pikërisht këtë marrëdhënie", theksoi Andonovski.

Ministri kujtoi se ideja për m.Uslugi nisi në vitin 2024, pas pjesëmarrjes së tij në Diia Summit në Cyrih dhe njohjes me modelin ukrainas Diia. Koncepti më pas u zhvillua si pjesë e projektit evropian GovTech4All, përmes programit Digital Europe.

m.Uslugi është konceptuar si qasje unike mobile në shtetin digjital – me identitet digjital, dokumente elektronike, shërbime publike dhe njoftime në një vend, dhe në fazat e ardhshme edhe me pagesa të integruara. Aplikacioni m.Uslugi është falas dhe përdorimi i tij është plotësisht vullnetar. Ai përfaqëson një kanal shtesë, më të shpejtë dhe më të thjeshtë për qasje në shërbimet publike dhe dokumentet elektronike, pa hequr mënyrat e tjera me të cilat qytetarët mund të komunikojnë me institucionet. Qëllimi është që çdo qytetar që dëshiron të përfitojë nga shërbimet digjitale ta bëjë këtë thjesht dhe pa kosto shtesë.

Gjatë prezantimit, Andonovski aktivizoi drejtpërdrejt aplikacionin dhe shtoi kartën e tij elektronike të identitetit në portofolin digjital.

"Kjo nuk është një fotografi e kartës së identitetit, as dokument PDF. Kjo është versioni elektronik i dokumentit në telefonin mobil", theksoi ministri.

Një nga funksionalitetet që u demonstrua është mundësia e ndarjes selektive të të dhënave. Në vend që përdoruesi të tregojë dokumentin e plotë kur duhet vetëm të konfirmojë moshën, aplikacioni lejon të ndahet vetëm informacioni i nevojshëm.

"Nëse pyetja e vetme është nëse një person është i rritur, nuk ka nevojë të ndahen adresa, numri i dokumentit dhe të gjitha të dhënat e tjera personale. Identiteti modern digjital do të thotë të ndash vetëm atë të dhënë që është e nevojshme", tha Andonovski.

Përveç dokumenteve digjitale, përmes m.Uslugi qytetarët marrin edhe qasje mobile në shërbimet e para elektronike.

Ministri theksoi se qëllimi nuk është vetëm të transferohen procedurat ekzistuese administrative nga sporteli në telefonin mobil, por ato të thjeshtohen thelbësisht.

"Nëse një procedurë sot ka shtatë hapa të panevojshëm, suksesi nuk është të bëjmë shtatë hapa digjitalë. Duhet të përcaktojmë se cilët prej tyre mund të zhduken plotësisht, cilat të dhëna shteti tashmë i ka dhe çfarë mund të shkëmbejnë në mënyrë të sigurt institucionet mes tyre. Kjo është digjitalizimi i vërtetë", theksoi Andonovski.

Ai theksoi se m.Uslugi është fillimi, jo produkti përfundimtar, dhe se aplikacioni do të përmirësohet vazhdimisht.

Në fazat e ardhshme parashikohet futja e pagesave të integruara, mundësia për përdorimin e fotografisë në procedurat ku është e nevojshme, dokumente të reja elektronike si ekstrakte, certifikata dhe diploma, si dhe zgjerim i konsiderueshëm i numrit të shërbimeve të disponueshme.

"Nuk do të digjitalizojmë së pari atë që është më e lehtë për administratën. Do të digjitalizojmë atë që qytetarët kanë më shumë nevojë", u shpreh ministri.

Andonovski bëri thirrje që institucionet të përfshihen aktivisht me shërbime të reja dhe lidhjen e sistemeve, ndërsa mediat dhe qytetarët të testojnë aplikacionin, të tregojnë mangësitë dhe të propozojnë përmirësime.

"Nga sot rrethi i njerëzve që do ta zhvillojnë m.Uslugi bëhet shumë më i madh. Institucionet le të shtojnë shërbime dhe të propozojnë përmirësime. Mediat le ta testojnë, le të na kontrollojnë dhe të na kritikojnë kur diçka nuk funksionon. Qytetarët le ta përdorin, le të na thonë çfarë u mungon dhe le të na ndihmojnë ta bëjmë më të mirë. Dhe, shpresoj, le të kënaqen me të kur u kursejë kohë, nerva dhe udhëtime të panevojshme nëpër institucione", theksoi Andonovski.

Ai falënderoi ekipin e Ministrisë për transformim digjital, ekipet zhvilluese dhe partnere, institucionet e përfshira në integrimin e sistemeve, përdoruesit testues, si dhe partnerët ndërkombëtarë që ndanë përvojën e tyre në zhvillimin e shërbimeve digjitale shtetërore.

Ministri Andonovski shprehu falënderime të veçanta për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ministrin Pançe Toshkovski për bashkëpunimin dhe mbështetjen në lidhjen e sistemeve dhe mundësimin e dokumenteve të para elektronike në m.Uslugi. "Ky projekt tregon se shteti digjital mund të funksionojë vetëm kur institucionet punojnë së bashku, lidhin regjistrat e tyre dhe vendosin shërbimin për qytetarin përpara kufijve institucionalë", theksoi Andonovski.

Faleminderime u shprehën edhe për Bashkimin Evropian, i cili përmes programit Digital Europe mbështeti financiarisht projektin, si dhe për kryeministrin Hristijan Mickoski për mbështetjen në realizimin e projektit.

Sipas Andonovskit, suksesi i m.Uslugi nuk do të matet vetëm me numrin e shkarkimeve të aplikacionit, por mbi të gjitha me kohën që do t’u kursehet qytetarëve, numrin e hapave administrativë të panevojshëm që do të hiqen dhe numrin e shërbimeve që do të mund të përfundojnë plotësisht digjitalisht.

"Transformimi digjital nuk është i suksesshëm sepse administrata përdor teknologji. Është i suksesshëm kur qytetari ndjen që shteti i është bërë më i thjeshtë. m.Uslugi sot nuk është fundi i këtij procesi. Ky është fillimi. Nga sot fillojmë të ndryshojmë atë që qytetari duhet të presë nga shteti i tij – një shtet më afër, më të thjeshtë dhe më të aksesueshëm", përfundoi ministri Andonovski.

Lajme të ngjashme