Dëshmia emocionale e djalit të Schumacher: Do të heq dorë nga gjithçka vetëm që të mund të flas me ty

Shtatë herë kampioni i Formula 1, Michael Schumacher, pësoi një aksident të rëndë në skijim në stacionin francez të Meribel, në Alpet franceze, në fund të dhjetorit 2013.
Që nga ajo kohë, ylli i famshëm është nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore, ndërsa familja e tij e udhëhequr nga bashkëshortja e tij Corinna, me mbështetjen e vajzës Gina-Maria dhe djalit Mick, kujdeset për të.
Informacionet për gjendjen e tij shëndetësore ruhen me sekret të rreptë prej vitesh, prandaj dëshmia emocionale e djalit të tij Mick në një dokumentar tërhoqi shumë vëmendje në publik.
Ngasësi i ri foli për boshllëkun që la aksidenti i babait të tij, veçanërisht në vitet kur ai vetë po ndërtonte një karrierë profesionale në pistë.
"Mendoj se babai dhe unë do të kuptoheshim ndryshe sot, thjesht sepse flasim të njëjtën gjuhë, gjuhën e automobilizmit. Do të kishim kaq shumë për të biseduar, për këtë mendoj më së shumti. Do të heq dorë nga gjithçka vetëm që ta kem atë", tha Mick Schumacher.
Ai kishte vetëm 14 vjeç në kohën e aksidentit fatal në Alpe, dhe rritja pa mbështetjen e babait të tij la një gjurmë të thellë.
"Pas aksidentit, nuk janë më ato momente që shumë njerëz të tjerë i ndajnë me prindërit e tyre. Mendoj se është pak e padrejtë", tha Mick, duke u kthyer tek fëmijëria e tij e paqëndrueshme, të cilën e kujton me momente të bukura me prindërit dhe motrën e tij.
"Kur mendoj për të kaluarën, më shumë kujtoj si katërshen që argëtoheshim së bashku. Kujtoj si vozisnim karting nëpër fshat, hipnim në kuaj dhe kalonim kohë së bashku. Këto janë kujtimet që më bëjnë të lumtur", tha Mick.
Në dokumentar u shfaq edhe Corinna Schumacher, e cila theksoi se gjithmonë ka qenë kyç për Michael të mbrojë jetën e tij private nga sytë e publikut, një rregull që familja e respekton edhe sot. Ajo kujtoi fillimet e përbashkëta me bashkëshortin e saj në fillim të viteve '90, si dhe muzikën që shënoi dashurinë e tyre, veçanërisht këngën "Rash Rush" nga këngëtarja Paula Abdul.
"Ishte kënga jonë në atë kohë. Kur e dëgjoj sot ndërsa jam në makinë, qaj brenda vetes", pranoi Corinna.
Mick Schumacher ndoqi hapat e babait të tij dhe ndërtoi një karrierë të suksesshme në motorsport. Ai fitoi titullin kampion evropian në Formula 3 në vitin 2018, dhe dy vjet më vonë ngriti edhe trofeun kampion në Formula 2.
Kjo e çoi atë në Formula 1, ku garoi për skuadrën Haas për dy sezone, dhe më pas ishte pilot rezervë për Mercedes.
Në vitet 2024 dhe 2025, ai garoi në Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë për Alpine, ndërsa këtë vit garon në Kampionatin Amerikan në IndyCar për skuadrën Meyer Shank Racing.
Foto/ Depositphotos



