E hënë, 26 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Andonovski: Shërbimet elektronike u lehtësojnë punën kompanive

Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, sot në Dhomën e Tregtisë së Maqedonisë mbajti një prezantim me temë „Shërbimet elektronike për biznesin“, në një takim me kryetarin e Dhomës dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Fokusi ishte në mundësitë për lidhjen e kompanive me Portalin Kombëtar për shërbime elektronike, uslugi.gov.mk, shërbimet që përdorin më shpesh dhe mundësitë për mbështetje investimesh. Ministri prezantoi edhe projektet partnere që ndihmojnë kompanitë në procesin e transformimit digjital.

„Sot në Dhomën e Tregtisë diskutojmë për transformimin digjital të sektorit të biznesit dhe mundësitë që ofron portali uslugi.gov.mk, por edhe projektet tona partnere përmes INO-FEIT EDIH dhe DIGIT-MAK, të cilat ofrojnë analizë të gjendjeve dhe testim para investimit për të gjitha kompanitë nga sektori privat“, theksoi Andonovski në deklaratën për mediat.

Ministri theksoi se dialogu i drejtpërdrejtë me kompanitë është i rëndësishëm për të përcaktuar nevojat e tyre dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e sfidave në dixhitalizim.

„Shpresoj që sektori privat do të shfrytëzojë këtë mundësi. Njëkohësisht, edhe ne kemi mundësinë të dëgjojmë sfidat me të cilat përballen kompanitë në Maqedoni, nevojat që kanë dhe çfarë duhet të bëjmë së bashku për të arritur rezultatet e nevojshme“, theksoi Andonovski.

Si një hap konkret nga bashkëpunimi, ministri njoftoi formimin e një grupi pune të përbashkët me Dhomën e Tregtisë.

„Me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe ekipin e tij morëm vendim të krijojmë një grup pune që do të punojë teknikisht për zgjidhjen e sfidave të sektorit të biznesit që lidhen me dixhitalizimin“, deklaroi Andonovski.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit ndanë përvojat, vërejtjet dhe propozimet e tyre për përdorimin e shërbimeve elektronike dhe shprehën falënderim për bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale. Në diskutim u shqyrtuan mundësitë për përmirësimin e shërbimeve dhe thjeshtimin e procedurave administrative, me qëllim që kompanitë të harxhojnë më pak kohë në sportele dhe më shumë të përqendrohen në punën dhe zhvillimin e tyre.

Andonovski këtë mëngjes mori pjesë edhe në një panel-diskutim të INOFEIT EDIH, të dedikuar për mbështetjen e transformimit digjital të kompanive, ku konfirmoi angazhimin e Qeverisë për mbështetje të mëtejshme të qendrave të inovacionit digjital.

Lajme të ngjashme