Sigurohen sensorë për monitorimin e glikemisë për 800 persona me diabet tip 1, njofton ministria

Ministria e Shëndetësisë punon vazhdimisht për përmirësimin e kujdesit për personat me diabet, përmes sigurimit të terapisë moderne, ndihmave mjekësore dhe kushteve më të mira për monitorimin dhe kontrollin e sëmundjes, njoftojnë nga aty.
Sipas njoftimit, me prokurimin e fundit publik, janë siguruar sensorë për monitorimin e glikemisë për 800 persona me diabet tip 1, në përputhje me Programin për diabetin dhe përfundimet e komisionit kombëtar për diabetin. Prokurimi publik, i lidhur në prill të këtij viti, vlen deri në prill 2028. Me prokurimin e fundit publik është siguruar terapi moderne me insulinë dhe antidiabetike me sasi të rritura.
"Gjatë majit dhe qershorit të këtij viti, është kryer edhe zëvendësimi i të gjithë transmetuesve sipas protokollit, dhe pacientëve të përfshirë në Program u janë shpërndarë sasi sensorësh për një periudhë gjashtëmujore, pra deri në dhjetor 2026. Pacientët i marrin sensorët në barnatoret e insulinës, sipas regjimit të përcaktuar.
Me sensorë përfshihen personat me diabet tip 1 deri në moshën 25 vjeç, gratë shtatzëna me diabet tip 1, personat e verbër me diabet tip 1, si dhe personat me diabet tip 1 që kanë komplikacione dhe komorbiditete më të rënda.
Në këtë mënyrë, në përputhje me mjetet buxhetore në dispozicion, prioritet i është dhënë kategorive më të ndjeshme të pacientëve për të siguruar monitorim të vazhdueshëm të nivelit të glikemisë dhe menaxhim më të mirë të sëmundjes.
Ministria kujton se sensorët për monitorim të vazhdueshëm të glikemisë u siguruan për herë të parë në vitin 2023 për 650 pacientë, ndërsa me prokurimin publik në vitin 2026 numri i personave të përfshirë është rritur në 800.
"Ministria e Shëndetësisë mbetet e hapur për komunikim me organizatat e pacientëve dhe do të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e kujdesit për personat me diabet.



