"Nuk do ta shihni kurrë Schumacherin"

Kaluan më shumë se një dekadë nga aksidenti i rëndë i Michael Schumacherit gjatë skijimit, por gjendja shëndetësore e legjendarit të Formula 1 mbetet një nga misteret më të mëdha në botën e sportit.
Që nga viti 2013, familja e shtatë herë kampionit botëror nuk jep asnjë informacion për shërimin e tij, dhe prezantuesi gjerman Florian König, mik i gjatë i Schumacherit, beson se është koha që publiku ta pranojë këtë vendim.
König (59), një nga figurat më të njohura të "RTL" gjerman, në një intervistë për "Bild" deklaroi se e kupton interesin e madh të tifozëve, por nuk pret që familja ndonjëherë të publikojë detaje për gjendjen shëndetësore të Schumacherit ose fotografi të reja të tij.
"Për gjithçka vendosin ekskluzivisht anëtarët më të afërt të familjes, domethënë gruaja Corinna, vajza Gina dhe djali Mick. Edhe nëse mësoj diçka, nga besnikëria ndaj Michaelit, do ta mbaja për vete. Prandaj nuk i pyes anëtarët e familjes për asgjë", tha König.
Gazetari gjerman theksoi se familja që nga fillimi ka bërë të qartë se dëshiron privatësi të plotë, prandaj nuk përpiqet të mësojë asnjë detaj, madje as kur bisedon me të afërmit e Schumacherit.
"Të gjithë anëtarët e familjes shumë shpejt pas aksidentit të Michaelit bënë të qartë se nuk duan të ndajnë detaje me publikun. Unë ende respektoj këtë dëshirë, të cilën Corinna më ka përcjellë personalisht. Nuk flas për këtë me djalin e tij Mick apo me vëllain e tij Ralf, edhe pse jemi në kontakt të rregullt", shpjegoi König, siç raportoi "Sport Klub Slloveni".
Ai është i vetëdijshëm se sa shumë ka rëndësi Schumacher për miliona fansa të automobilizmit, veçanërisht gjatë dominimit të tij në Ferrari, por beson se emocionet e tifozëve nuk mund të jenë më të rëndësishme se dëshirat e familjes së tij.
"I kuptoj njerëzit, veçanërisht ata që ndiqnin Formula 1 çdo javë dhe dëgjonin himnin italian dhe gjerman kur Schumacher fitonte për Ferrari.
Por vendimi është në duart e familjes, e cila është thellësisht dhe personalisht e prekur nga kjo. Ata vendosën kështu dhe kjo është e drejta e tyre. Le ta respektojmë të gjithë këtë", përfundoi gazetari gjerman.
Gruaja e Schumacherit, Corinna, për vite me radhë shmangu të flasë publikisht për shëndetin e bashkëshortit të saj. Megjithatë, në dokumentarin e Netflix-it të vitit 2021, ajo tha një fjali që prekën veçanërisht fansat e legjendarit gjerman.
"Michael është këtu. Ndoshta është ndryshe, por ende është me ne. Kjo na jep forcë."
Të kujtojmë se në fund të dhjetorit 2013, Schumacher pësoi një dëmtim serioz në kokë ndërsa skijonte në Alpet Franceze. Që atëherë, ai nuk është shfaqur në publik, dhe informacionet për shëndetin e tij janë jashtëzakonisht të rralla.
Disa media prej vitesh pretendojnë se legjendari është pothuajse plotësisht i paaftë për lëvizje, por këto pretendime nuk janë konfirmuar kurrë zyrtarisht.
Sipas informacioneve jozyrtare, Schumacherin e kujdeset një ekip ekspertësh mjekësorë, ndërsa qëndron në rezidencat familjare në Gland, Zvicër, dhe Majorka, Spanjë.
Pavarësisht interesit të madh publik, familja mbetet e vendosur në vendimin e saj për të mbrojtur privatësinë e tij me çdo kusht.
Foto/ Depositphotos



