Mojsoska: Multipolariteti si një shans real për politikë sovrane të Maqedonisë

Deputetja e Levicës, Jovana Mojsoska, mbajti fjalim në "Forumin për shkëmbim mes ligjvënësve", të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Kinës për miqësi me vende të tjera [Chinese People’s Association for Friendship with Foreign Countries]. Ajo theksoi se shfaqja e një rendi botëror multipolar hap një mundësi historike për vendet në zhvillim që të dalin nga pozicioni i periferisë ekonomike dhe të ndërtojnë një rrugë zhvillimi sovrane dhe të pavarur.
Mojsoska vuri në dukje se Maqedonia, pavarësisht pavarësisë formale politike, mbetet e kapur në një model varësie ekonomike, të karakterizuar me largimin e fuqisë punëtore, varësi nga investimet dhe teknologjitë e huaja dhe prodhim vendas të pamjaftueshëm. Në vend që të krijojë kapacitete prodhuese të veta, shteti eksporton punëtorë dhe importon produkte me vlerë të shtuar të lartë, duke thelluar pozitën e vet periferike në ekonominë evropiane.

"Sfida jonë thelbësore është sovraniteti ekonomik, i cili është themeli i sovranitetit politik", theksoi Mojsoska, duke vënë në dukje se modeli ku kapitali i huaj paraqitet si nxitësi i vetëm i zhvillimit, ndërsa ekonomia vendase si burim i lirë i fuqisë punëtore, nuk mund të sigurojë pavarësi të vërtetë ekonomike.

Deputetja theksoi se multipolariteti krijon hapësirë për tejkalimin e marrëdhënieve të mëparshme të varësisë dhe për vendosjen e bashkëpunimit ndërkombëtar të barabartë. Në këtë kuadër, bashkëpunimi me vende që vendosin në qendër të vëmendjes të drejtën për zhvillim, përfshirë edhe Kinën, mund të hapë mundësi për forcimin e kapaciteteve vendase, në vend të krijimit të projekteve të izoluar pa efekt afatgjatë në ekonomi.

"Multipolariteti nuk duhet të mbetet vetëm një ndryshim në shpërndarjen e fuqisë globale. Ai duhet të nënkuptojë edhe një ndryshim në marrëdhëniet ekonomike – që shtetet e vogla të ndalojnë së qenuri vetëm tregje për produkte të huaja dhe burime të fuqisë së lirë punëtore, por të bëhen prodhues, inovatorë dhe partnerë të barabartë", përfundoi Mojsoska.


