(Video) Filipçe: Rryma, matësit, energjetika – kjo është një skemë kriminale përmes Adamoviqit, kryerëse është Bozhinovska

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën për shtyp të sotme akuzoi se në sektorin energjetik po zbatohet një skemë korruptive përmes tregtisë me rrymë, matësve dhe kontratave të shitblerjes, ku përzihen interesa biznesi dhe politike në lidhjen Vuçiq-Mickoski.
Filipçe theksoi lidhjet me Rudnap, Dušan Adamoviq dhe ministresha Sanja Bozhinovska, duke akuzuar qeverinë se i vë interesat e biznesit para interesave të qytetarëve.
"Lidhjet kriminale të biznesit. Së pari në pjesën e energjetikës, ku kryerëse lokale është ministresha Sanja Bozhimovska. Lidhjet me Rudnap, tregtia me rrymë, lidhjet me Dušan Adamoviqin", tha Filipçe.
Filipçe akuzoi se kryeministri Kristian Mickoski nuk e ka shpjeguar marrëdhënien e tij me Adamoviqin, duke theksuar se ekzistojnë fotografi nga takimet e tyre.
"Njeriu që u emërua konsull nderi, njeriu për të cilin Kristian Mickoski nuk ka folur kurrë, megjithëse ka takime, për të cilat ka edhe fotografi, çfarë marrëdhënie ka me të. Matësit, kontratat e shitblerjes dhe kështu me radhë. E gjithë kjo është një skemë e madhe korruptive me të cilën vidhen paratë e qytetarëve, Maqedonia varfërohet, gjithçka në interes të interesave të biznesit të kësaj qeverie", deklaroi Filipçe.
Filipçe theksoi se energjetika është pjesë e një sistemi më të gjerë të lidhur me interesa biznesi dhe politike dhe akuzoi qeverinë për menaxhim të papërgjegjshëm të burimeve kombëtare, duke theksuar se po shitet pasuria kombëtare.
"Po shitet pasuria kombëtare. Tek ne Kristian Mickoski bën sublimimin e të gjitha gjërave të padrejta që ndodhin në rajon. Përmendëm krimin dhe korrupsionin, presionin mbi mediat, ndarjen e opozitës, bizneset që ka dhe shesin pasuritë kombëtare, duke shitur ujin për qendra të të dhënave dhe tokën për miniera. Nuk do t'ia kalojë. Jo vetëm që do të ketë përgjegjësi, do të kthejnë para. Të gjithë, deri në denarin e fundit, që e kanë vjedhur nga Buxheti, nga e ardhmja e fëmijëve dhe qytetarëve, le të dinë se do t'i kthejnë", u shpreh Filipçe.




