Zgjidhje e përhershme për ushtarët profesionistë që mbushin 45 vjeç – Misajllovski njoftoi reformë të re në Ushtri

Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski sot në një konferencë për shtyp në Qeveri njoftoi një reformë në Ushtrinë maqedonase me të cilën ushtarëve profesionistë që mbushin 45 vjeç u hapet një mundësi e re me të cilën do të mund të vazhdojnë të punojnë brenda Ushtrisë deri në pensionimin e tyre. Kjo, tha Misajllovski, është një zgjidhje e përhershme që i zgjidh sfidat me të cilat përballeshin ushtarët profesionistë në Ushtrinë maqedonase.
„Kjo zgjidhje përgjithmonë pas dekadash të tëra i zgjidh sfidat me të cilat përballen ushtarët profesionistë. Ushtarët profesionistë janë shtylla e Ushtrisë dhe në pjesën më të madhe të angazhimit të tyre profesional japin gjithçka që ne të jemi të sigurt, ndihmojnë gjithmonë dhe kudo ku u nevojiten qytetarëve. Reforma do të thotë që ushtarët profesionistë maqedonas më në fund dhe merituar do të mund të jenë të kënaqur dhe të sigurt për të ardhmen e tyre edhe pas moshës 45 vjeç“, theksoi ministri.
Ai shtoi se përveç kësaj mundësie të re, mbeten në fuqi edhe mundësitë ekzistuese për kompensim në vlerë prej dy pagave mesatare për çdo vit të kaluar në Ushtri, si dhe mundësia për punësim në organet e pushtetit shtetëror dhe lokal.
Detajet e reformës i shpjegoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Lafçiski, i cili theksoi se kjo mundësi shtesë u mundëson ushtarëve profesionistë të qëndrojnë në Ushtri si pjesë e sigurimit të pronës dhe personave në kazermat dhe garnizonet e Ushtrisë.
„Me këtë reformë do të zgjidhet një nga kërkesat kyçe të ushtarëve profesionistë që mbushin 45 vjeç, e cila është ndryshimi i statusit të tyre të punës nga i përkohshëm në të përhershëm. Me këtë propozim zgjidhjeje në fakt detyra shumë e rëndësishme për sigurimin e pronës dhe personave të Ushtrisë në garnizone dhe kazermë do të merret pikërisht nga ushtarët profesionistë që do të vendosen në njësitë përgjegjëse për sigurimin e pronës dhe personave në kazermë dhe garnizonë“, theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Lafçiski shtoi se qëndrimi i të gjithë gjeneralëve dhe oficerëve që mbajnë pozita komandimi dhe drejtimi është se nuk ekziston personel më i mirë dhe më i trajnuar për kryerjen e këtyre detyrave sesa ushtarët profesionistë që do të vendosin të qëndrojnë brenda Ushtrisë si persona civilë.
Sipas përfundimeve të miratuara në Qeveri, Ministria e Mbrojtjes brenda një muaji duhet të dorëzojë ndryshimet e formacionit ushtarak tek presidenteja dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, ndërsa në të njëjtën kohë po kryhet edhe ndryshimi i Rregullores për sigurimin e objekteve, mjeteve materiale dhe njerëzve të Ushtrisë, njoftojnë nga ministria.
„Reforma e mbështetur nga presidentja dhe komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë është rezultat i punës së përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes me sindikatat në mbrojtje, si dhe një analizë të gjerë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me çka garantohet qëndrueshmëria e saj afatgjatë“.



