Bekam do të jetë kundërkandidat i Infantos?

Legjenda angleze e futbollit David Bekam mund të bëhet kundërshtari kryesor i presidentit aktual të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Xhani Infantino, raporton gazeta gjermane "Sky Sports".
Sipas mediave gjermane, pas kandidaturës potenciale të ish-kapitenit të përfaqësueses së Anglisë qëndron një koalicion i fuqishëm i udhëhequr nga Bashkimi Evropian i Futbollit (UEFA), Shoqata Gjermane e Futbollit (DFB) dhe KONKAKAF, konfederata që mbledh shoqatat kombëtare të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve.
Pakënaqësia ndaj punës së presidentit aktual të FIFA-s po bëhet gjithnjë e më e shprehur, veçanërisht pas polemikave të fundit lidhur me të drejtat komerciale për Kampionatet Botërore.
Infantino akuzohet për një përpjekje të supozuar për shitje të fshehtë të një pjese të këtyre të drejtave, si dhe për shmangie të përgjigjeve të drejtpërdrejta ndaj pyetjeve të anëtarëve të Këshillit të FIFA-s, të cilëve u është përgjigjur vetëm me shkrim.
Pikërisht për këtë arsye, sipas informacioneve të përmendura, njerëzit kryesorë të futbollit evropian dhe atë të Amerikës së Veriut po shqyrtojnë mundësinë e mbështetjes së një kandidati të përbashkët që mund të rrezikojë pozitën e Infantinos.
David Bekam, ish-lojtar i Manchester United, Real Madrid, Milan dhe Paris Saint-Germain, i cili pas përfundimit të karrierës së tij sportive ka ndërtuar lidhje të forta biznesi në botën e futbollit, përmendet si zgjidhja ideale.
Bekam është bashkëpronës i Inter Miami, dhe ndikimi i tij në tregun amerikan mund të jetë një nga asetet më të rëndësishme në një fushatë të mundshme presidenciale.
UEFA dhe aleatët e saj duan të zgjerojnë mbështetjen jashtë Evropës për t'i bërë ballë Infantinos, i cili tradicionalisht gëzon mbështetje të fortë nga shoqatat e futbollit në Afrikë dhe Azi.
Sidoqoftë, ekziston edhe një pengesë serioze për realizimin e këtij plani. Bekam ka kultivuar marrëdhënie të mira me Infantinon për vite me radhë, ka marrë pjesë në shumë ngjarje të FIFA-s dhe ka qenë një nga promotorët e projekteve të saj.
Prandaj, ende nuk është e sigurt nëse anglezi i njohur do të pranojë të përballet drejtpërdrejt me presidentin aktual të shtëpisë botërore të futbollit.
Derisa nuk ka konfirmim zyrtar për kandidaturën e Bekamit, hyrja e tij e mundshme në garën presidenciale mund të ndryshojë ndjeshëm balancën e fuqisë në futbollin botëror.
Foto/ Depositphotos


